Ka kohë që politika shqiptare vuan nga inflacioni i fjalës “ndryshe”. Pothuajse të gjitha partitë a koalicionet e përfshira në zgjedhjet e qershorit 2009 kishin “ndryshe” ose diçka në lidhje me “ndryshe” në qendër të ligjërimeve të tyre politike. “Ndryshe”, me të gjitha variacionet e saj, u përdor e përdoret në politikën aktuale shqiptare në funksion të shprehjes së një shkëputjeje nga gjithçka mund të konsiderohet negative në të shkuarën e të tashmen e politikës e shoqërisë shqiptare. Në vazhdimësi të kësaj, me “ndryshe” kërkohet të tregohet potenciali i një subjekti apo grupi për të ofruar një të ardhme që nuk përmban vuajtjet e së djeshmes; që është më e mirë. Fjalorët shqip dhe të ato në gjuhë të huaj bashkohen në përkufizim e “ndryshe”, duke e shpjeguar atë si diçka që nuk është i/e njëjtë me të tjerët a të tjerat, me gjithkënd e secilin. Diçka që nuk ka të ngjashëm në natyrë, formë a cilësi. Njëkohësisht “ndryshe” përdoret shpesh dhe në shkencat sociale në formulime që kanë rrjedhoja të rëndësishme në praktikë, siç është përdorimi i konceptit “ndryshe” në lidhje me multikulturalizmin, demokracinë, barazinë gjinore etj. Në tërësinë e aplikimit të saj “ndryshe” ka gjithnjë një anë pozitive, demokratike e pluraliste. Idetë e ndryshme, vizionet e ndryshme, qëndrimet e ndryshme të ingranuara në perceptimin pozitiv të së ndryshmes si “e përmirësuar, e zhvilluar, pa negativitetet e të tjerave, me incentivat e reja” janë elementë domosdoshmërisht të pranishëm në një shoqëri që ecën përpara. Të paktën kështu ndodh kur “ndryshe” përdoret si “ndryshe” në shprehje dhe në brendësi, që do të thotë në emërtim dhe në substancë.
Ajo çfarë ndodhi në Shqipëri, fatkeqësisht është një histori tjetër e përbën thelbin e asaj që është kthyer në një model negativ ndërkombëtar të identifikuar me Shqipërinë. Një traditë që vendi ripërtërin në mënyrë konstante: zhvlerësimin e koncepteve dhe përdorimin e tyre sipas interesave të ngushta e imediate pa asnjë respekt për atë çfarë fjalët e konceptet nënkuptojnë e përfaqësojnë. Mbas zgjedhjeve të qershorit 2009 u vu re se “ndryshe” mbizotëroi si emërtim, ndërsa nuk bëhej fjalë për ide, mënyrë të menduari a të sjelluri ndryshe. Mbizotëroi emërtimi dhe u zhduk substanca. Vendi drejtohet nga “Aleanca e Ndryshimit”. Në krye të saj qëndron i njëjti person që ka më shumë se 15 vjet që drejton të njëjtën parti në politikën shqiptare, i njëjti që ishte anëtar i PPSH dhe ndjekës i zellshëm i linjës së saj si sekretar partie. Në aspektin e liderit, fjala ndryshim tek Aleanca që drejton vendin s’ka asnjë lidhje me “ndryshimin”. Në aspektin e mentalitetit duke filluar te qeveria, vazhduar tek partia e mbaruar tek degët e thjeshta të partisë në rrethe s’do të mjaftonin qindra faqe për të mbushur me fakte që vendi drejtohet nga një mentalitet autoritar, që buron nga ky lider i cili nuk ka mundësi praktike e teorike që të jetë “ndryshe”. Në fakt në çdo moment operimi të partisë-shtet përfaqëson mentalitetin patriarkal dhe shërbimin në emër të interesit personal, familjar apo të ngushtë grupal, një traditë e hershme shqiptare. Vazhdon tradita dhjetëra vjeçare e abuzimeve kolosale me fonde publike dhe e keqmenaxhimit të risurseve kombëtare. Ndërkohë që u zhvillua më tej tradita e kthimit të administratës në vend, shpërblim militantësh, korrupsionit të lidhur ngushtë me instancat e larta shtetërore dhe mashtrimit të publikut jo vetëm me anë të mediave publike, por duke krijuar lidhje të ngushta dhe me media private. Në të njëjtën mënyrë u çua më tej tradita e politikës së jashtme që drejtohet jo nga interesat e vendit dhe specialistët e fushës, por nga interesat e ngushta dhe të errëta të grupeve të vogla të lidhur me liderin e partisë-shtet. Aleanca përdori dhe Europën, duke u paraqitur para saj e para shqiptarëve sikur do ta çonte Shqipërinë drejt një qëllimi final, integrimin europian. Kjo fshihte në vetvete një të vërtetë sa rrëqethëse aq dhe flagrante: Shqipëria nuk ishte në Europë, për shkak të traditave që vetë kjo aleancë i mbars e i ka çuar më tej e nuk mund të jetë derisa kjo soj tradite të sundojë. Si rrjedhim, ajo çfarë ka lidhje me shkuarjen drejt Europës nën drejtimin e Aleancës se Ndryshimit nuk është as më shumë e as më pak se një mashtrim i madh. Në fakt, ky lloj mashtrimi ishte kulmimi në vitet e pluralizmit i traditës së imponimit të mashtrimeve publike me dhunë të diktaturës së para viteve ‘90. Në këtë kontekst emri i vërtetë i Aleanca e Ndryshimit është Aleanca Tradicionale, sepse në operimin e mendimin e saj nuk ka asnjë ndryshim, por vazhdimësi të një tradite të tërë të (keq)drejtimit të vendit e mashtrimit permanent të shtetasve.
Manipulimi i madh me “ndryshim” zhvlerësoi kuptimin e fjalës “ndryshe”. Kjo fjalë tashmë pa brendësi, filloi të mbushej nga çdo lloj lëvizjeje që në thelb ishte tradicionale. E tillë qe dhe e ashtuquajtura Lëvizja e Mendimit Ndryshe. Ajo çfarë lëvizja bënte në thelb ishte sharja konstante e liderit të opozitës dhe çdo gjëje që ai bënte. Në fakt, sulmi ndaj personit, një traditë e hershme në politikën shqiptare, u masterizua nga Aleanca Tradicionale. Janë të pafund recitimet alla byra politike të sharjeve që lider e përfaqësues të saj i bëjnë në vazhdimësi kundërshtarit që në mentalitetin autoritar të tyre është detyrimisht armiqësor. E njëjta traditë u adoptua nga ajo që në vazhdën e ndryshimit pa substancë u quajt Lëvizja e Mendimit Ndryshe. Mendimi ndryshe ishte pak a shumë “kush e shan më shumë, e kush e shan më bukur liderin e opozitës”. Ndonjë qytet tek-tuk, ku ndonjërit nga partia nuk i kishin ecur punët siç i donte interesi personal u amplifikuan sharësit që mendonin “ndryshe”. Nëse ndryshe do të kishte një substancë, atëherë do duhej para së gjithash që të gjithë “sharësit” fillimisht të dinin të merrnin përgjegjësi, një sjellje që ka munguar në kulturën politike shqiptare. Të gjithë ata që “mendonin ndryshe” edhe pse kishin pozicione kyçe në drejtimin e opozitës në zgjedhje, u larguan nga përgjegjësitë a thua se ndërkohë që partia ishte në zgjedhje, ato ishin në ndonjë planet tjetër. Në momentin kur vendi drejtohej nga Aleanca Tradicionale, në vend që mendimi “ndryshe” të tregonte se si bashkëpunimi dhe bashkëpërgjegjësia mund të reflektojnë një “ndryshim”, u zgjodh strategjia tradicionale dhe e Aleancës Tradicionale, sulm individit apo disa individëve pa dhënë në mënyrë konstruktive alternativa që mund të bënin ndryshimin substancial. Alternativa e hyrjes në Parlament qe dhënë nga vetë Aleanca Tradicionale. Alternativa e kësaj aleance në të gjithë opsionet e versionet e saj s’mund të kishte qëllim tjetër përveçse zbehjes së opozitës për të kthyer politikën shqiptare në një sferë me një pol siç e do tradita. Ndryshe në substancë do të thoshte ofrim i alternativave që do ruanin forcën politike e negociuese në rang kombëtar e ndërkombëtar të polit alternativ të politikës shqiptare, opozitës. Mendimi ndryshe qe aq “ndryshe” sa kërkoi të dëmtonte dhe në nivel ndërkombëtar opozitën krejt si Aleanca Tradicionale.
“Ndryshe” që në fjalor të huaj e vendas përkufizohet si diçka që nënkupton atë që nuk është i /e njëjtë me të tjerët a të tjerat, me gjithkënd e secilin, diçka që nuk ka të ngjashëm në natyrë, formë a cilësi, nuk duket të ketë të bëjë fort gjë me të ashtuquajturën Lëvizje e Mendimit Ndryshe e as me atë çfarë qëndron mbas fjalës ndryshim të zgjedhur për emërtim pa substancë nga Aleanca Tradicionale. Mendimi ndryshe duhej të ishte një risi, një inovacion, një diferencë në formë, cilësi e brendësi me çdo tjetër. LMN nuk i shpëtoi dot traditës së sharjes së personit në vazhdimësi për qejfprishje personale pa demonstruar asnjë përgjegjësi publike a personale mbi përfundimet e këtij qëndrimi. Përfundime që fatkeqësisht ishin krejt në përputhje me qëllimet e Aleancës Tradicionale. Socialistët gjithkund a gjithnjë dhe jo vetëm në Shqipëri kanë si veçori, për disa dobësi, përfshirjen e rrymave të mendimeve që nuk përputhen e shpeshherë përplasen fort me njëra tjetrën. Dhe në këtë aspekt e gabimisht quajtura LMN nuk ka asgjë ndryshe dhe nuk kishte pse të amplifikohej, pretendonte të ishte apo të dilte si një lëvizje a pol i veçantë që ishte “ndryshe”. Për t’u konsideruar ndryshe në politikë duhet arritur të gjenden alternativa, zgjidhje, qëndrime që thyejnë tradicionalen e kulturës politikë. I gabimisht quajturi LMN nuk e bëri dot këtë, por u ul m’u në zemër të traditës politike shqiptare. Në kuptimin e aktual “ndryshe” në Shqipëri do të thotë të shash e fyesh sa të mundesh e si të mundësh veçanërisht liderin e opozitës, duke vazhduar me radhë me figurat opozitare. Në kuptimin real ndryshe në politikën shqiptare do të ishte të ndjesh përgjegjësi për çdo fjalë e çdo qëndrim e para së gjithash të kesh respekt për integritetin moral, fizik, shpirtëror, publik e privat të secilit e të gjithëve, qoftë ky apo kjo një punëtor në minierë apo një ministër, një punonjës i shërbimit të pastrimit qytetar apo president, lypës në rrugë apo deputet etj. Kjo do të thotë të respektosh çdo shtetas të këtij vendi, t’i hapësh rrugën mundësive të barabarta e të mbash përgjegjësi jo vetëm për ato që jetojnë sot në secilin skaj të vendit, por dhe për të gjithë brezat e shtetasve që do të vinë. Fatkeqësisht, nuk është kështu. “Ndryshe” sot në Shqipëri është zhvlerësuar krejtësisht e nuk ka brendësi, përveç brendësisë që nuk ka lidhje me të e që përbën tradicionalen e politikës shqiptare të përfaqësuar nga pushteti i sotëm dhe lëvizjes që me ose pa vetëdije është afilluar me të.