“Ne nuk kemi nevojë të premtojmë shumë dhe më tepër. PS duhet të përqendrohet në disa prioritete: edukim, punësim, ekologji – dhe t’i rijapë shpresën rinisë”. “Një fjalim i së vërtetës” është vlerësimi i “Le Monde” të 19.04.2010 për fjalët e deputetit socialist François Hollande. Këto fjalë do të ishin të vlefshme, në një kontekst e me brendësi tjetër, dhe në Shqipërinë e sotme ku pas reklamave bajate të pushtetit gjendet një vend me plagë të rënda sa në arsim, sa në punësim, ekonomi e sa në ekologji.
Pavarësisht se si instruktohen të buzëqeshin apo duartrokasin në sfonde, të rinjtë në Shqipëri janë ndër më të kufizuarit në kontinentin tonë. Si mund të jetë ndryshe në kushtet kur arsimi është krejt larg standardeve perëndimore, ekonomia çalon në tërësinë e saj, mundësitë e punësimit janë krejt të pakta dhe mënyrat e marrjes në punë militante e klienteliste. Për më tepër kur ato janë të detyruar të jetojnë në një vend ku rrezikohet seriozisht sa shëndeti i individit e sa e ardhmja e ambientit të përbashkët nga një pushtet që s’ka asnjë respekt për të, por e dëmton pafundësisht në injorim total të ndjesive ekologjike e në favor të investimeve të dëmshme për ambientin, por që mbushin xhepat e pushtetarëve.
Si mundet të ketë shpresë për të rinjtë në një vend ku debati politik e social është i fokusuar në gjetjen e ‘sa gënjen e si gënjen qeveria’. Në këtë debat s’ka fort vend të mendohet se ç’bën opozita se aq shumë drejton me mentalitetin mashtrues të regjimeve totalitare pushteti i sotëm sa fatkeqësisht ka bërë të humbë rëndësi kritika drejt çdo subjekti tjetër. A mund të mendosh sa ka shpresë në të ardhmen e një shoqërie ku tashmë është provuar se mund të shitet e blihet gjithçka nga trupi i njeriut deri tek opinioni i tij! A mundet të ketë shpresë në një vend ku mbizotëron mentaliteti që vlerëson kontributet në lidhje me paratë që janë në xhepa, makina e veshje e jo për vlerat që përmban. Si mund të ketë shpresa në një shoqëri ku mundet të bësh përpara për sa përdor agresivitetin, vrazhdësinë, fjalë pa brendësi e diploma që nuk janë reale.
Nëse François Hollande thotë për Francën që duhet “t’u kthejmë shpresën të rinjve”, ai nuk e ka për të kthyer shpresën se mund të kemi shpresë, siç do të ndodhte në rastin shqiptar. As nuk e ka për shpresën për të pasur standardet bazë të vlerësimit të individit si një tërësi vlerash në një shoqëri. Aq më tepër ai nuk bën fjalë për një vend ku vlerat themelore të individit e komunitetit janë në shok e kaos. Natyrshëm ai nuk flet për shpresën për të pasur standardet minimale të pranueshme në shoqërinë perëndimore në arsim, punësim apo ekologji. Në fund të fund ai flet nga podiumi i Parlamentit të një vendi që gjeneron standarde.
Dhe në fakt, shpresa për të cilën ai flet është mundësia që u jepet të rinjve për të qenë pjesë aktive pjesëmarrëse dhe vendosëse në procesin e përmirësimit të të gjithë standardeve. Kur thotë “t’u japim shpresën të rinjve” ai e ka fjalën që të forcohen rrugët, që ndërsa vendi gjeneron standarde universale, shqetësimet e të rinjve të vendit të tij të jenë në zemrën e këtyre standardeve. Nuk ka dyshim që ai nuk diskuton shpresën për të pasur mundësi të vlerësohesh nga veçoritë profesionale për një vend pune, por shpresën që të rinjtë t’u japin formë vendeve të punës sipas kërkesave e prioriteteve të tyre.
Jam e vetëdijshme mbi diferencën në brendinë e fjalës shpresë në aktualitetin shqiptar dhe atë të një vendi të zhvilluar demokratik. Nuk mbars iluzionin se këto brendi janë të krahasueshme apo të ngjashme, në momentin konkret. As nuk kërkoj t’i barazoj apo pretendoj se duhet të jenë të njëjta. Gjithsesi, nga shpresa për të rinjtë, për të cilën bën fjalë një deputet i një vendi europian të zhvilluar, marr shkas të mendoj për shpresën që mund të kenë të rinjtë e vendit tonë. Nëse kanë iluzionin se kanë shpresa, të dinë diferencat e shpresave që ato mund të kenë dhe ato që bashkëmoshatarët në vende të zhvilluara demokratike kanë. Pesha e realitet është aq e rëndë sa dua më shumë forcë të thërras e them: jepini rinisë shqiptare të paktën mundësinë të ketë shpresa…
Kam të fortë bindjen se kjo nuk është një thirrje letrare, por një mundësi reale që kjo shoqëri e ka në dorë ta krijojë. Për t’u arritur nuk ka nevojë për asgjë më shumë se vetëm pak seriozitet e sinqeritet të klasës politike. Një sinqeritet e seriozitet që mund ta vlerësojmë me mendje e zemër siç “Le Monde” vlerësonte fjalimin e një politikani si “fjalimi i së vërtetës”. Për t’u dhënë mundësinë të rinjve të kenë shpresë nuk duhet shumë më shumë se insistimi i drejtuesve, veçanërisht liderëve në cilësi e jo në lajka, në kuptime e jo në fjalë. Për t’u dhënë mundësinë të kenë shpresë të rinjve do të mjaftonte që të gjithë ato që i adresohen publikut të komunikojnë me shqetësimin e ndarjes së diçkaje me publikun jo “spektaklit” të tyre të radhës para tij.
Rinisë shqiptare mund t’i kthehet mundësia të ketë shpresa nëse vetë të rinjtë vendosen para përgjegjësisë së vlerave e punës, jo vrapimit në mitingje e adhurimit të “të rëndësishmëve”. Rinisë shqiptare mund t’i kthehet mundësia të ketë shpresa nëse kërkohet me të vërtetë e jo vetëm për makiazh analiza, mendimi, kontributi i saj. Rinisë shqiptare mund t’i kthehet mundësia për të pasur shpresë nëse politikanë, qeveritarë, deputetë e aktivistë, drejtues e opinionistë arrijnë të mendojnë se ka diçka përtej vetvetes, përtej fëmijëve të vet, përtej përfitimit të sotëm. Ka diçka që na bën t’i vlerësojmë këto më shumë dhe ajo është e nesërmja.
Nëse dënojmë siç po bëjmë tani të nesërmen me etjet e hakmarrjeve të së djeshmes dhe egoizmin e sotshëm u heqim mundësinë të rinjve të kenë shpresë. Dënojmë brezat me ripërsëritjen e së djeshmeve e të sotmeve. Mbajmë mbi supe peshën e viteve e si tani në përsëritje e ripërsëritje aktualizojmë më të vështirën e së shkuarës. Nëse mendojmë se nesërmja e fëmijëve tanë është e siguruar se ato kanë paratë apo pozitën e prindërve sot, i dënojmë veçanërisht ato të jenë nën presionin e parave e pozitës të dikujt tjetër nesër.
Ka shumë gjëra për të protestuar në vendin tim. Nuk mund të rri pa ngritur zërin për të gjitha ato. Nga ana tjetër, edhe pse më frymëzojnë në pambarim, nuk dua më ta ngre zërin as si Migjeni as si Noli. Brezi im dhe dënimi që po i bëhet atij ka kaluar dhe atë të brezave paraardhës. Rinia jonë e rinitë që vijnë po dënohen me përsëritjen e ripërsëritjen e pamundësisë për të pasur shpresa. Po dënohen në vazhdimësi të hapin rrugën me bërryla e jo me punë, të jetojnë me maska e jo me fytyrën e tyre, të ecin përpara duke vrarë dashamirësinë e mirëkuptimin, të zëvendësojnë të vërtetat me iluzionet e të pranojnë standarde që funksionojnë vetëm në Shqipëri.
E domosdoshme është të protestosh në vendin tim. Për të gjitha blasfemitë e shumë liderëve e drejtuese duhet protestuar. Padyshim që të gjithë duhet të jenë krah për krah në protestë, por atje duhet të ecet për të rimarrë shpresën. Nuk do të ndryshojë asgjë për sa në protestë të shkohet për karrigen, për t’u dukur diku e disi apo dhe për të hequr qeverinë. Atje duhet shkuar për të hequr mundësinë që mentalitete të tilla qeverisjeje të mund të ripërsëriten, për të kthyer njeriun si vlerë e jo si produkt për t’u harxhuar fushatash. Atje duhet shkuar për edukim, për punësim, për ekonomi, për ekologji e mbi të gjitha “që t’i rijapim rinisë shpresën”…