Gazeta Shekulli, 04.12.2011
Kishte një qytet, ishte si ishull në mes të tokës. Kishte një qytet, jetonte me bekimin e ujit… Kishte një qytet që ishte i dishrum, i andrrum, i admirum… Kishte një qytet që nuk matej me asnjë rreth e rrotull…
Kishte një qytet që nota, vargu, melodia i lagte çdo rrugë e i bashkonte molekulat e ajrit që vicërrojnë gjithkund e përherë… Kishte një qytet me shumë ngjyra… Kishte një qytet me shumë mendje…
Kishte një qytet me shumë pretendime… Ky qytet ishte rrezik… Ky qytet ishte në rrezik… Ky qytet rezistonte… Ky një qytet qe akoma i pambytur… Kishte një qytet që e plagosën kur përqafoi shpresën… Kishte një qytet që e goditën mbas shpine ndërsa ngrihej në këmbë… Ky nuk ishte tashmë qyteti… Hija e tij qe diku dhe shpirti gjithashtu…
Shumë kohë më përpara – sot të duken kohë antike, por, në fakt, nuk është e tillë historia e shekulli i 18-19-të, – në një pjesë të madhe të hartave që përfshinin e tregonin territoret ku sot gjendet Shqipëria shënohej emri i vetëm një qyteti, një qendre kryesore që quhej Shkodër.
Deri në fillimet e viteve njëzet – po të lexohet shtypi i kohës – vërehet se grupe të ndryshme sociale-kulture-ekonomike në Shqipëri, pretendonin që Shkodra të ishte kryeqyteti i vendit.
Kuptimi i qytetit fshihej në shumëllojshmërinë e ideve, besimeve, kulturave që ai i përmbante e i gërshetonte duke i lënë secilit hapësirën e vet e duke i ofruar qytetin të gjithëve bashkë e çdokujt veç e veç.
Mbi këtë shumëllojshmëri qyteti qeshte, prodhonte, përpunonte, krijonte. Të shumtët e të ndryshmit në të dhe përplaseshin, por ai nga kjo fitonte e në gjerësinë e hapësirave të vlerave të veta këto i gërshetonte pa asnjë çudi a mundim.
Kaq e fortë ishte përplasja e i ngushtë bashkëpunimi mes të njëjtëve e të ndryshmëve në qytet sa vlerat që ai prodhonte bëheshin me doemos aktore, protagoniste, përkufizuese në një shtet e më tej. Kaq shumë kishte parë, dëgjuar, jetuar, kaluar historia e qytetit sa dhe e vetme ajo tregonte si ngriheshin e binin shtete e perandori.
Aq shumë kishte në qytet sa fjala e thjeshtë s’kishte fuqi ta tregonte. Prandaj qyteti fjalën e kishte art e artistin këdo e gjithkënd. Kjo fjalë e ky artisti nuk bëhej pjesë e letërsisë a artit më të gjerë, por i jepte ngjyrë, theks, tjetër kuptim atij.
Cilit autoritet qendror i pëlqen të lejojë të jetojë një qytet, energjia e të cilit mund të transformojë gjithë zonën?
Cilit autoritet qendror i duhet një qytet fjala e të cilit i jep ngjyrë gjithë bisedës e të gjitha bisedave? Cilit autoritet i duhet një qytet që nuk pranon ta identifikosh, por identifikohet me vetveten? Cilit autoritet qendror i duhet një qytet që nuk mbyt të ndryshmen, të kundërtën?
Si rrjedhim e ndrydhën qytetin. U munduan t’i japin ngjyrë, formë, gjuhë. I ndaluan fjalën. Këngën e artin ia lanë të rrethuar duke i kufizuar mundësinë të ngjizte ndryshimin. Me gjithë ndrydhjen, presionin, terrorin qyteti rezistonte. Në pëshpërima e fshihte energjinë. Në ujin që e rrethonte, e ujiste, i shuante etjen e ruante këngën e vërtetë.
Nuk e vriste ai të kundërtën, e fshihte përkohësisht. Nuk e braktiste ai pretendimin, aktronte sikur s’kishte ndonjë pretendim. Nuk dukej si konkurrent i autoritetit, ndërsa e qeshte sikur s’po e qeshte. Ishte lodhur qyteti, por nuk mbytej ai. Nuk mbytej se ruante besimin se me energjinë, forcën, shumëllojshmërinë e fjalën e tij mund të ndryshoheshin rajone, merrnin ngjyrë zona të tëra, hapeshin horizonte krejt të reja.
Në momentin kur dhe bota, dhe rajoni, dhe vendi ishte drejtuar me fytyrë nga shumëllojshmëria, qytetit do t’i vinte dita.
Kishte ardhur koha kur të gjithë kërkonin të jetonin së bashku, ashtu siç Shkodra dinte të jetonte të ndryshmen, por në bashkëpunim. Pretendohej tashmë se askush nuk do të ndrydhte fjalën e nuk t’i vinte barriera artit e këngës, e as politikës që prodhojnë ato.
Duhej të kishte ardhur momenti i Shkodrës dhe ajo besoi ashtu. Por, në këtë besim lindi fatkeqësia. Ajo më e madhja. E lanë të besojë në liri, por i hoqën pretendimin. E lanë të besojë se do ta ngjyrosi ajo lirinë, por i zhdukën horizontin. E bindën se do t’i dëgjohej zëri, por i hoqën artin në fjalë. I thanë mund të bësh art, por i kishin hequr mjetet.
E ndër të tjera, m’u në zemër i kish ardhur thika kur i thanë se ke një ngjyrë e një flamur. Tashmë kishte një qytet që luftonte me urrejtjen që ia ngjeshin si fitore të demokracisë. Ndryshimi fatal qe se këtë herë ndrydhjen ai kishin mbjellë nga brenda.
Njerëzve të tulatur, të lodhur, të mërzitur, i ofruan formulën e triumfit: kafenenë, ndonjë rrugë e ndonjë pronë, fjalë, por pa zarar, dhe Shkodrën e vogël konkurrente veç me Podgoricën. Më në fund e zhdukën rrezikun, shumë shkodranë kaq do të kërkonin. Do të merrnin si dhuratë parlamentin e do të falnin qytetin…
Qyteti, i shtrenjtë, por i shitur lirë që humbi vetveten i tradhtuar nga njerëzit e vet, noton sot nën ujë… Kushedi, mundet që vetëm ashtu dhe për një herë të fundit pa i vënë nënkresën në gojë do të marrë frymë thellë, e mbushë kraharorin me ujë… Po e mbysnin, do ta zvogëlonin e dobësonin me çdo kusht… Ia kishin kredhur në varfëri shpirtin…
“Të paktën pak ujë, o Zotni, o Zonjë” – do të ketë thënë, – “pak ujë, të vdes si di unë…”
Nuk ia vonuan dhe ujin… Por, ndoshta një ditë, farëzat e shpirtit të tij që me ujë do t’i ketë mbjellë e ushqyer aty këtu, do të mbijnë a bëzajnë përsëri, ndoshta një ditë…