“Turp, – thonë, – se dëmtuan Tiranën, na turpëruan”
Sa, të kujt, qysh kur, deri kur këto turpe? Kam frikë se lista është e gjatë e s’dihet cili turp është i pari e cili i dyti. Në fakt ka mundësi, që nga mbi përdorimi fjala ‘turp’, si ajo integrim, moral, liri-demokraci, do të mbetet fatkeqësisht pa kuptim në Shqipëri. Prodi pyeste pas 11 shtatorit: A ndodhin gjërat në një ditë? A kemi pyetur vallë kur e si i mbollëm filizat e dhunës? A do vrapojmë të gjejmë fajtorë e grupojmë qindra mijëra në disa?
Them që duhet t’i pyesim këto, dhe në këtë rast dhe pa reflektuar nuk mund të bëhen njerëzit e thjeshtë fajtorë, e as opozita që ka për detyrë reagimin. Nga natyra, dhe kjo është individuale, nuk duroj dot pushtetin e mendoj se është tepër i privilegjuar përballe njerëzve. Për më tepër duke qenë i njëjti tash 20 vjet, mos të flasë për dhunë se i ka mbjellë vetë të gjitha. Po, po, kjo që ndodhi është e mërzitshme, e trishtueshme. Sikur të mos ishte kështu.
Po ashtu ndodhi dhe turpi nuk është i njerëzve që protestojnë, e as atyre që thërrasin për protestë. Është patetike tashmë të mos shohësh disbalancën mes një pushteti e një opozite, forcës policore e njerëzve, 200 mijëve me 100 vetë. Të fokusosh çdo gjë në ato, që u thye e u dogj e të mos shikosh bombën sociale, që me 21 janar në Tiranë dha shkreptimën, që kishte kohë që i dëgjohej zëri.
“Opozita të kontrollonte protestën, – thonë disa të tjerë, – se u humbën jetë…”
Me vjen keq për ato jetë, di çdo të thotë të humbësh familjare. Di tmerrin, indinjimin, dhimbjen, që zemrën e kishte shkrirë po të ishte gur. Por mendja na duhet sot më shumë se kurrë. Ka një fakt; ato që s’janë sot, ishin aty për të protestuar dhe kjo është një e vërtetë e rëndësishme. Ndërkohë protesta tregon sa shumë tension është akumuluar. Nuk e kontrollon dot askush këtë tension. Nëse duhej ta kontrollonte dikush ai është shteti.
Po të mos blindohej Tirana, po të mos shtyheshin njerëzit që të largoheshin nga sheshi i kryeministrisë, çdo të ndodhte? Asgjë. Dy-tri grupe që mund të kishin qëllime vandale do bënin rrëmujë, por do dalloheshin e shkëputeshin nga qindra mijëra. Po të lëshosh ujë, gaz, shkopinj gome krijon vetë atmosferën e luftës.
Tri-katër grupe që thyejnë xhama lokalizohen, ndërsa të tjerët vazhdojnë të qetë. Po kjo nuk i intereson në fakt pushtetit se duhen armë të tjera për të fajësuar opozitën. Është mbaruar arsenali për momentin, harxhuar, vjetërsuar, tani duhen të reja.
Dimë se ka shumë njerëz të thjeshtë, policë të nderuar, po aq sa dhe policia është mbushur me militantë. S’mund të mohojmë një reagim kaq të madh, e denigrojmë qindra njerëz kur para syve tanë, në parlament jo më në rrugë, vete kryepushtetari është sjellë mijëra herë me keq se çdo grup vandal. Ka një vit e sa që veç tall e fyen. Ka muaj që i thuhet mjaft se po dërrmon vendin, ndërsa bën si do veç vetë. Polici që shikon të sulmohet opozita pa asnjë etikë, takt e përmbajtje nga njeriu, që e mban veten kryeministër, si mund të dilte në rrugë i qetë.
“Deklaratat e opozitës provokuan këtë”, – insistojnë të tjerë…
Njeriu që mban veten kryeministër, doli mijëra herë më i korruptuar se gjithë akuzat e korrupsionit që bënte. Doli mik me të gjithë ato që shante.
Doli se na i mbante fëmijët goxha mirë me favoret e pushtetit. Doli se as nuk di, të ndërtojë institucione, e as nuk do asnjë institucion që funksionon përtej vetes. Doli se mund të gënjejë jo veç për kundërshtarë, por dhe për zhvillimin e vendit. Doli se di të korruptojë gjithë sistemin në vend, por dhe të zgjedhur Europianë.
Doli se në opozitë tenton të djegë e sulmojë institucione, e në pushtet ndërton gardhe me tela me gjemba. Doli se di të bllokojë gjithë Tiranën, vetëm për të sulmuar një njëri dhe të mbysë Shkodrën e fajin t’ia ngjeshi perëndisë. Doli se mezi pret të denigrojë mijëra shqiptarë vetëm se kanë protestuar kundra tij. Në vend ka fëmijë që vdesin në plehra dhe ky, nuk është një fenomen i veçuar, po një tregues i varfërisë së tejskajshme.
Në Shqipëri fëmijë që vdesin të vetëm në një dhomë nga ftohti e helmimi i llambave ndriçuese dhe ky nuk është një rast, po një i njohur nga mijëra të heshtur. Në vendin tonë ka njerëz, që mendojnë çdo ditë paratë e bukës. Përballë tyre kapërdihen pa iu trembur syri, nga asgjë e veçanërisht nga drejtësia ministra e pushtetarë milionerë me paratë, që përftojnë në kurriz të popullit. Kjo gjendje e neveritshme të bën të rrish përditë para kryeministrisë me apo pa thirrje të opozitës.
“Turp, provokacion dhe moskontroll opozitar i protestës, faji i kryetarit të PS-së” – janë argumentet që të imponon qeveria në daç të njihesh i ‘paanshëm’.
Kaq akuza ka hedhur ky pushtet në treg sa është e vështirë të shohësh përtej tyre. Njerëzit janë nën bombardim total të shpifjeve qeveritare e autoporlantëve përkatës. Gjithsesi logjika të kërkon të shohësh me tej. Fabrikimi i akuzave është gjëja e vetme, që kjo qeveri bën mirë. Promovimi i xhelozisë, inateve, vrerëve është fusha e suksesit më të madh të saj.
Si fabrikohen akuzat? Shumë thjesht: ndërsa diskutoja për protestën në këtë mënyrë siç po reagojë dhe këtu, dikush, që në fakt kishte vrerin se partia që dikur i kishte pas dhënë post pa asnjë meritë po rrezikohej, bërtiste se si opozitarët drejtonin banda me 300 vetë.
Çdonjëri nga ne që është kundra logjikës së pushtetit, në mendjen e saj drejtonte banda me 300 vete dhe ishte faqezi e turpërues. E fabrikoi në vend, i vuri dhe numrin. Fabrikim i shpejtë, konciz dhe i thënë me gjithë forcën e vrerit. Kur i fabrikojnë kështu menjëherë pa lidhje fare për njerëz të thjeshtë, njerëz, që mund të mos jenë fare në Shqipëri, por insistojnë në përkrahjen e protestës së qytetarëve, çfarë mund të lënë pa shpikur këto prototipa për kryetarin e opozitës!
Baltos sa të mundesh në mos ngjiste do lërë shenjë, kjo është taktika e tyre. Besoj se duhet pak rezistencë ndaj kësaj taktike nga të ‘paanshmit’. Sot në Shqipëri paanshmëria është detyruar të jetë ‘përputhshmëri me deklaratat e qeverisë ose barazo të dyja palët mbyti në të njëjtin llum.’ Qeveria shpërlahet ndërsa ndyn të gjithë në llum. Aq sa na e hedhin dhe syve e nuk shohim se kjo qeveri nuk ka më asnjë legjitimitet dhe se opozita ka kohë, që kërkon zgjedhje të reja.
‘Të paanshëm’ të sinqertë, miq që shqetësoheni për këtë vend!
Kur gjithë opozitarët, gjithë ato që i kërkojnë llogari pushtetit ‘janë të poshtër, të paturpshëm, banditë e faqezi’ nuk ka më krahë e as paanshmëri. Mos të hidhemi në grepat e pushtetit se ai me peshqit që kap kështu po justifikon dështimet e rënda. Ky nuk është pushteti i njerëzve dhe as pushtet demokratik. Shpikjet e shpifjet e tij janë bërë rrjetë që na e kanë hedhur përsipër e shtrëngon çdo kënd, çdo ditë.
E vërteta është përtej kësaj rrjetës të thurur fort me mashtrime vulgare. Ato që fabrikojnë akuza janë e do të jenë me inatet, xhelozitë, vrerët, dëshirën për të marrë hak veçanërisht për postin që ia dha miku ia hoqi e drejta, e ambicien e të paaftit për t’u dukur duke sinjalizuar ‘fajet’ e rënda të të tjerëve. Faje që e bëjnë të ndihet më i aftë, ndërsa i shpik vetë. Debati e ndryshimi në mendim janë zhvillim, por ky është një moment fatalisht kritik.
Sot, shqiptarët janë nën dhunën verbale e materiale të një pushteti, që prodhon e riprodhon skamje shpirtërore, mendore dhe ekonomike. Në këtë gjendje, besoj, nuk mund të ketë disa krahë, as asnjëanshmëri përveçse një krahu. Atij të njerëzve, që me qindra e mijëra protestuan haptazi e me kurajo kundër kësaj skamjeje.