Gazeta Shekulli, 22.02.2011
Këto ditë kur vendi im zien për një të sotme dhe të ardhme ku vlerat të jenë të vërteta e kontributet të sinqerta nga vendet arabe vjen një erë e fortë rezistence e revolte popullore ndërsa nga fqinji përpallë detit një himn. Fjalët e tij duket sikur përshkruajnë luftën e përditshme të arabëve që me insistim kërkojnë lirinë, të shumë europianëve që nuk duan standardet e dyfishta, të italianëve që meritojnë të përfaqësohen ndryshe dhe të shqiptarëve që nuk ngjasojnë aspak me qeveritarët e tyre.
Kënga thotë: ‘më quaj përsëri dashuri, për barkën që fluturoi në qiell bashkë me fëmijët të cilët për t’i parë tek vinë përsëri, do të falja një det të tërë.’ A nuk është kështu për ne? Çfarë nuk do te jepnim të ishte duke lozur përsëri djali i vogël që e mbytën plehrat në rrethinat e Shkodrës së 2009; motër e vëlla që vdiqën të vetmuar e helmuar nga varfëria në Shqipërinë 2010; apo Anën e bukur që ia vranë sytë në Shqipërinë e 2011.
Kënga vazhdon: ‘më quaj dashuri për autorin që nuk mund të këndojë, për punëtorin që nuk ka më punën, për ato që janë 20 vjeç, por po vdesin në një zbrazëti si në një thertore, për të gjithë djemtë e vajzat që mbrojnë një libër të vërtetë kaq të bukur ndërsa thërrasin në sheshe, sepse duan të na i vrasin dhe mendimet.’ E vërtetë fatale. Cili artist mund të kritikojë qeverinë shqiptare pa u bërë çakall? Cili i ri njëzet vjeçar do të gjente punë duke qenë opozitar? A ka mendim në parlamentin e kthyer në zyrë partie? A ka mendim në një vend ky qytetarët që në shesh protestojnë, quhen puçista? Ç’mendimi ngeli kur njeriu që dhunoi si më sipër liritë thotë se ka pasion lirinë. Vrite fare mendimin i thua vetes e pyete nëse pasioni i lindi ndërsa e dhunonte.
Kënga insiston: “më quaj përsëri dashuri. Për ndyrësirën që është gjithnjë në diell, për frikacakun që fsheh zemrën, për memorien tonë të hedhur erës, për këta zotëri të dhimbjes.” Sikur na përshkruan. Dje me poste e mirakandje, sot kundër atyre të djeshmëve e prapë me poste. Në një anë biznes mafioz, në tjetrën rryshfete 700 mijë euro, kurse makinat e telefonat të paguara nga taksat e qytetarëve. Gjithnjë në diell ca zotërinj… Ah, për të mos përballur ndërgjegjen me këtë “diell” pambarim, natyrshëm duhet fshehur zemra. Memoria në erë është hedhur bashkë me momumentet e denigruara e historinë sipas qefit të shefit i cilit thotë se i ka kaluar shpirti i Skënderbeut e rilindjen e vëndit e ka bërë dora vetë në 97’tën. Çfarë dhimbjeje nga këto zotërinj të dhimbjes…
Kënga nuk rresht: ‘Më quaj persëri dashuri, më quaj gjithnjë dashuri se kjo natë e mallkuar do të mbaroje dikur, ne do ta mbushim me muzikë e fjalë. Më quaj përsëri dashuri, më quaj gjithnjë dashuri në këtë ëndërr të pashpresë mes heshtjes e vetimit, mbroje njerëzimin dhe në mbettë i vetëm një njeri.’ A ka si te mos jetë një natë e mallkuar koha si kjo, kur ëndrrat i sheh të veniten e idealizmin e tallur? Kur të thonë se duhet të bërtasësh që të dëgjohesh e të mashtrosh që të lartësohesh.
Kënga vijon: ‘Më quaj përsëri dashuri, më quaj gjithnjë dashuri, sepse idetë janë si fluturat nuk mund t’ia shkëputësh flatrat, sepse idetë janë si yjet nuk i shuajnë fortunat, sepse idetë janë si zëri i nënës që menduan se ka humbur…’ Qeverinë anti-mendim kjo duhet veçanërisht ta bejë të dridhet. Si shpikëse perfekte mashtrimesh, por varfanjake në ide – për këtë mjafton të përmenden akuzat për puç – kjo qeveri s’mund të rrijë në këmbë në një vend të integruar me lëvizjet globale. Në daç në opozitë, në daç jashtë saj, idetë do të thirren, idetë do të shkruhen, e për pushtetin e zhytur në mashtrim përballjet me ide, herët a vonë do të sjellin një fund krejt të palavdishëm.
Artisti, fituesi i Sanremos ia kushtonte këngën popullit të vet; ‘grave shumë më të mira se burrat, të rinjve, puntorëve e ushtarëve që çohen në luftra të panevojshme’. Në këto momente ndryshimi për të gjithë botën ai thoshte në mbyllje “sepse ne jemi dashuria”. Të njëjtat ndjenja vinë nga lëvizjet arabe ku njerëzit kërkojnë fundin e diktaturave për t’i dhënë fund urrejtjeve e ndarjeve. Një energji vjen larg nga Lindja, një himn vjen nga shumë pranë, Perëndimi. Të dyja thonë se diktatura gjeneron urrjetje e urrejtja netë të mallkuara. Më 20 Shkurt 2011 kur duhet të festonim largimin e saj, nga podjumi i fundit totalitar i vëndit mbillej ndër ne urrejtja. Ka ardhur koha të ndahemi me këtë logjikë e shpirt të diktaturës e të rigjejmë vendin e njëri-tjetrin nën thirrjen për të gjithë dhe për secilin “më quaj përsëri dashuri.”