Shekulli Online – 09/11/2011
Më në fund një forcë politike mori guximin të dalë me një platformë të shkruar që do të zhvillohet në një program të detajuar pas një debati të gjërë publik. Kur dëgjova fillimisht se do të kishte një program mendova se ishte shumë herët për këtë. Kisha parasysh se e ashtuquajtura maxhorancë është e pasur vetëm në idetë si mbushen kutitë e votave për të ndryshuar verdiktin e votuesit, si blehen përfaqësues politik, si korruptohen gjyqtarë, si bëhen ekspertiza të rreme, e më së fundmi si vendi i të gjithëve bëhet kosh plehrash për të mbushur xhepat e disave. Rrjedhimisht gjëja e parë që do të bënte ishte kopjimi i disa ideve për t’i bërë çamçakiza në gojë të kryepatriarkut ndërsa pret minimalisht 3 shirita për një rrugë apo bën fushatë arrash në vendin që mbolli plehra. Për më tepër do të (ri)ndizej makineria e përbaltjes dhe tentativa për të prezantuar e ndërtuar një program kishte rrezik të kthehej në një vazhdë përgjigjesh deklaratave me mungesë të theksuar edukate qytetare, shkatërruese për çdo komunikim politik dhe pa pikë peshe ideore të kryepatriarkut dhe folesëve të tij nën siglën e PD’së.
Gjithsesi deri tani PS ka arritur të përparojë në debatin mbi programin e menaxhimin e partisë duke bërë që krahu tjetër të vazhdojë e vetdiskretitohet duke riprezantuar në deklarata çdo ditë mungesën e vizionit. Nga ana tjetër ekzistenca e një platforme ideore që do të debatohet, diskutohet në fusha të ndryshme e në tërësinë e saj ështe një risi e rëndësishme në rrugën e reformimit të kulturës politike në Shqipëri. Debati mbi brëndësinë e programit do të jetë një sfidë jo vetëm e PS, por e gjithë shoqërisë shqiptare. Shoqëria shqiptare do të duhet të tregojë se si menaxhon e përparon debatin mbi të ardhmen e vet. Ndërsa PS, në procesin që ka filluar do të përballet me sfidën e ballafaqimit të shumfishtë të ideve të saj dhe finalizimit të tyre në një dokument të gjërë të integruar qeverisjeje.
Në fakt partitë politike dhe në vendet më të zhvilluara nuk ofrojnë detyrimisht një program të detuajur siç iu kërkua në vazhdimsi PS’së kaq herët para zgjedhjeve. Ofrohen më shumë vizione dhe strategji të përgjithshme. Gjithsesi duke pasur parasysh se Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe ka përjetuar regres në qeverisje sidomos në këto vite të pushtetit PD-LSI shpalosja e programit jo vetëm na fiton kohë, por dhe na bashkon drejt debateve për të ardhmen në një pikë ku vetë shoqëria globale, por veçanërisht shoqëria shqiptare është në udhëkryq. Ato që kërkuan me insistim program nga PS, kur qeveria bënte çfarë t’i dojë qefi me Shqipërinë, apo barazonin opozitën me qeverinë, mundet për një moment t’i jenë shfaqur si drita në errësirë kryepatriarkut. Por, platforma e PS erdhi si një ballafiqim i guximshëm.
Programin në tërësinë e tij është i mirëvendosur përsa i përket zhvillimeve ndërkombëtare dhe ideve transnacionale. Eshtë një program që reflekton një integrim ideor të Shqipërisë në mendimin e zhvilluar ndërkombëtar të ndërthurur me ndjeshmëri nacionale e lokale. Pamvarësisht se nuk është artikuluar në këtë formë besoj se programi ka të gjitha elementet për të zhvilluar qytetarinë aktive. Qytetaria aktive është një koncept në ndërthurjen e disa fushave sa kulturore aq sociale e ekonomike, por mbi të gjitha mendoj se ofron një platformë për arsimin në vend. Atë platformë që programi e përçon veçanërisht në pikën 2.2, “Edukim, Dituri, Kulturë” në kapitullin “Ripërtëritje e Shoqërisë”. Në program arsimi është konceptuar përtej edukimit duke u kuptuar si një tërësi vlerash e mundësish. Në këtë vazhdë unë do të quaja arsimin si një politikë të “empowerment” që do t’a përktheja këtu, potencializim. Empowerment/potencializimi në këtë kontekst nënpkupton mundësinë dhe potencialin e qytetarit për të qënë vendimtar në çdo vendimarrje e inisiative për veten, grupin që përfaqëson e shoqërinë ku bën pjesë. Ky është në fakt dhe thelbi i qytetarisë aktive, termit gjërësisht të përdorur në politik bërjen në vendet e BE’së.
Disa teoricienë të njohur të qytetarisë ndoshta nuk do t’a pranonin shprehjen qytetarî aktive për faktin se vetë termi qytetarî nënkupton qytetarinë aktive. Për këto autorë, qytetari është subjekt politik. Kjo do të thotë që qytetari është pjesa përbërëse e pushtetit jo veç i ndikuari nga ai. Pushteti jo vetëm është rrjedhoja e tij, por e ka atë si konkurentin dhe sfiduesin e përhershëm. Qënia e qytetarit subjekt politik i jep atij të drejtën e fjalës së parë në çdo fushë dhe vë në bazën e kulturës politike aktivizmin. Ky nuk do të thotë detyrimisht aktivizëm në parti politike. Bëhet fjalë për një aktivizëm të gjithanshëm në çdo fushë duke kthyer aktivizimin në një vlerë shoqërore. Ky aktivizëm është thellësisht ndryshe nga aktivizmi banal/militantizmi (në Shqipëri) që ka si qëllim përfitime personale veçanërisht materiale (poste, para, përfitime nepotike e klienteliste). Bëhet fjalë për një aktivizëm për kauza dhe një shoqëri kauzash. Në këtë rast, qytetaria përjashton diferencimin fshat-qytet se bazohet në aktivizmin për të mbrojtur kauzën. Kjo lloj qytetarie mbi të gjitha është ndërtuar mbi barazinë gjinore duke nënvizuar se janë kauzat që përkufizojnë çdo qytetar.
Gjithsesi qytetaria si term ka brënda tensione të rëndësishme social-kulturore dhe përdorimi në formën qytetarî aktive, sidomos në programe politike e strategji zhvillimi, nënvizon aktivizmin që qëndron në thelbin e saj si përballje me të gjithë paragjykimet, diskriminimet, mohimin e shanseve e kthimin e qytetarit në një objekt pasiv i cili dëgjon programe në vënd që t’i bëjë ato. Në Shqipëri ne sot përdorim tre terma të ndryshëm në lidhje me qytetarinë; shtetas, nënshtetas dhe qytetar. Kjo vlen sa për ligjërimin intellektual, ashtu dhe për atë juridik, kulturor e politik. Termat padyshim që kanë brenda një histori të tërë sociale tensionesh që bëjnë që ne të jemi njëkohësisht dhe shtetas dhe nënshtetas dhe qytetarë. Por, që përfundimisht të mos jemi tërësisht qytetarë e shumë më pak qytetarë aktivë. Turi në vend për programin dhe sfida e PS’së për të sintetizuar e idetë e qytetarëve në program është në linjën e mbështetjes së qytetarisë aktive.
Në brëndësinë e programit elementet që mbështesin qytetarinë aktive i shohim që në inisiativat ekonomike për të rritur potencialin kompetitiv rajonal të lokaliteve, lehtësitë fiskale për punësimin e grave e deri tek mundësia e arsimit të lartë publik për të gjithë e rrjeti i kolegjeve profesionale që operon i sikronizuar me veçoritë e lokaliteteve e bashkëpunimin lokal e rajonal. Nga ana tjetër dua të nënvizoj rëndësinë e konceptimit të – pjesës 2.2 – edukim, kulturë, dituri si qytetari aktive. Kjo besoj do të ndihmonte në kapërcimin e sfidës që është ndryshimi të mentalitetit jo vetëm reformimi i aksionit. Kemi nevojë të krijojmë dijen e presionin social që bën gruan, fshatarin e qytetasin qytetarë me barazi shansesh dhe vendimarrës.
Në këtë aspekt mendoj se kjo pjesë e programit, që mund të vlerësoj profesionalisht, ka vend për elemente shtesë e zhvillim të elementeve që ai ka me anë të artikulimit të akseve strategjike si; cilësi teknike, cilësi shkencore, ekselencë profesionale, integrim kombëtar e ndërkombëtar. Cilësia teknike ka lidhje me kushtet e ambjenteve, mundësitë teknike e teknologjike që ato ofrojnë si dhe me mundësitë e ndjekjes së shkollës nga arsimi parashkollor tek ai pasuniversitar (probleme të prekura në program). Cilësia shkencore ka të bëjë me kërkimin shkencor, mësimdhënien e materialet e përdorura (e trajtuar në program). Ekselenca profesionale ka të bëjë me zhvillimin e arsimit profesional që është një ndër pjesët më të mirë artikuluara të pjesës 2.2. Nga ana tjetër integrimi kombëtar e ndërkombëtar (pak i trajtuar në këtë pjesë) ka të bëjë më zhvillimin e burimeve njerëzore në mënyrën që ata të jenë sa konkurentë të denjë në platforma ndërkombëtare, sa tërheqës burimesh ndërkombëtare (projekte, financime, bashkëpunime, specialistë) në vend.
Krijimi i setit të kritereve teknike për ambjentet shkollore dhe implementimi i tij në tërë vendin duke u nisur nga situatat më emergjente për të arritur në një barazi kushtesh sipas llojit të shkollës, përbën një hap imediat. Barazia e mundësive teknike është vëndimtare për të barazuar mundësitë sociale e mjet bazë për potencializimin e individit. Përsa i përket cilësisë shkencore përveç sistemit të vlerësimit e rënditjes së shkollave të larta (nënvizuar në program), emergjent është reformimi i drejtimit të institucioneve shkencore. Veçanërisht i instituteve që jo në pak raste drejtohen nga militantë të pushtetit të cilët kanë mundësi vendimarrje individuale për karrierën shkencore të shumë studiuesve të punësuar aty. Eshtë parësore që kërkuesit shkencor të ndikohen nga vendimarrje gjithëpërfshirëse në institucionet ku janë. Në këtë aspekt duhet të reformohet e demokratizohet drejtimi i instituteve, por dhe duhen mbështetur forumet e studiuesve e institucionalizuar ndërhyrja e tyre në politikat shkencore. Siç thuhet në program se duhet depolitizuar tërësisht arti e çliruar kultura nga klientelizmi kjo është vendimtare e emergjente për kërkimin shkencor.
Po ashtu imediat gjej bashkëpunimin me instancat e BE’së për efektivizimin e Erasmusit e programeve të ndryshimit që nuk janë vetëm për studentë, por dhe për stafin akademik dhe administrativ universitar. Nga ana tjetër përsa i përket studentit një element i rëndësishëm i shtjelluar veçanërisht në fushatën e socialistëve francezë është dhe statusi i stazhierit. Padyshim që detajet e debatit francez janë në një stad tjetër. Gjithsesi besoj se në Shqipëri duhet të punohet për zhvillimin e një statusi stazhieri si një mundësi dhënë studentit për kualifikim e orientim profesional të karrierës së tij si dhe bashkëpunimit mes universitetit dhe kompanive në funksion të zhvillimit të punës shkencore. Këtu nuk bëj fjalë vetëm për stazhin, e detyruar në disa degë, që së fundmi qeveria e kthej në angari. Bëj fjalë për stazhe të zgjedhura rishtazi për zhvillim profesional e mundësi ekonomike nga vetë studentët.
Në Europë ky lloj bashkëpunimi po promovohet veçanërisht me anë të panaireve arsimore-profesionale ku firma nga më të ndryshmet, universite, shkolla publike, private e studentë gjehen në një ambient ku shkëmbëhen jo vetëm eksperienca, por oferta bursash, kurse, stazhe, oferta pune e projekte. Në këto aktivitete rajonale, kombëtare e ndërkombëtare jo vetëm gjehen oportunitete, por dhe lindin ide që reformojnë sa arsimin e lartë, sa vizionin e kompanive, sa përcaktimin e përparësive nga vetë studentët. Në fakt para statusit të stazhierit, debati duhet të fokusohet në statusin e studentit për të ndërrmarrë në afat të shkurtër hapa konkret në këtë fushë. Hapi më i parë do të ishte karta e studentit e cila jepet nga universitet të cilët e potencializojnë me oferta lokale, duke përfishërë elementë të detyruar me ligj në shkallë kombëtare.
Ndërsa përsa i përket mësuesit që përbën dhe një nga pikat kryesore në pjesën “Dituri, Kulturë, Arsim” të programit të PS, besoj ka vend për të menduar dhe për trajtime të veçanta siç është mundësia e përfitimit nga banesat sociale, avantazhe reale në pagesën e tarifave publike, shfrytëzimit të komplekseve sociale. Në fakt duhet një reformim dhe “kthim në identitet” të komplekseve sociale publike. Këto do të shërbenin për trajtimin e nëpunësave, duke qënë rentabël dhe jo burim të ardhurash për familjarët e militantët e pushtetit. Gjithë këto ide kanë në thelb potencializimin e qytetarit student/e, mësues/e e kërkues/e shkencor/e. Ky potencializimin është më kritiku, sepse operon më individin që parashkollor duke u zgjatur tek procesi i prodhimit të dijes në vend.
E sotmja shqiptare në një anë është në udhëkryq social e kulturor, ndërsa në anën tjetër ka potenciale njërëzore shumë të rëndësishëm për të kapërcyer këtë udhëkryq pa nevojën e asnjë miti historik, kulturor apo politik. Në këtë kuptim besoj se implementimi i një programi të mirë studiuar ka veçanërisht lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore. Ndoshta duhet të jetë e para PS që duhet të arrijë dhe reforminin e idesë së militantizmit, që fatkeqësisht në Shqipëri është banalizuar me kohë, në atë të aktivizmit. Padyshim kjo nuk varet nga termi, por qasja. E meqë PS e kërkoi debatin e shkëmbimin e ideve mbi programin, ajo mbi të gjitha ka kohën të tregojë qasjen e vet kundrejt aktivistëve të saj dhe aktivizmit qytetar në tërësi.
Nga ana tjetër PS ka marrë përsipër një barrë që në fakt nuk është e tëra e saja. Eshtë autorianizmi në PD që mban veçanërisht peng politikën shqiptare e materializmi i promovuar nga LSI që (ri)mban peng shoqërinë. E djathta ka kohën (që po kalon) për të thëne fjalën e saj. Ashtu siç është koha e gjithë intellektualëve shqiptarë të bëhen pjesë aktive e gjenerimit të një shoqërie vlerash që kërkon padyshim iniciativa përtej politikës. Në këtë kuptim si aksioni kundër prishje së piramidës, si ai kundër bërjes së Shqipërisë terminal mbeturinash ndërkombëtare janë burim shprese. Iniciativa e PS’së është një tjetër shpresë. Zhvillimi i saj një sfidë për të gjithë, implementimi një sprovë për PS’në e në tërësi një urë shumë e rëndësishme drejt qytetarisë aktive.