Për Nadezhda, Maria e Yekaterina dhe protestën feministe

Gazeta Shqip, 25 Gusht 2012

Maska, fustane e çorape ngjyra-ngjyra kishin ndërsa në altarin e një katedraleje moskovite nën tingujt e një kitare elektronike ato këndonin “Shën Mëri na e hiq Putinin”. Nadezhda Tolokonnikova, Maria Alyokhina dhe Yekaterina Samutsevich, kanë bashkuar qindra qytetare në qindra vende të botës në protestë kundër dënimit të tyre me dy vjet kamp pune. Shumë hezitojnë t’u dalin në mbrojtje e shumë i kritikojnë tri femrat ruse për atë çfarë thanë e bënë në një kishë (qoftë dhe për pak minuta). Gjithsesi shumë qytetare të tjera, artistë nga Bjorg te Sting e Paul McCartney, sportistë si Garry Kasparov e politikanë nga ministrja franceze Cécile Duflot te përfaqësuesja për politikën e jashtme të BE-së Catherine Ashton e shumë të tjerë vazhdojnë të ngrenë zërin në mbështetje, duke nënvizuar se akti i tyre s’ishte i orientuar drejt mosrespektimit të besimit. Lutja e formuluar në pank, rrymë e njohur për tingujt rebelë e tekste me brendësi politike, përbënte një akt politik që u thërriste (dhe) autoriteteve fetare, cilado qofshin ato, të mos bëhen palë me regjimet që shtypin fjalën e lirë, të mos bëhen legjitimues të autoritarianizmit. Në fakt, besoj se miliona qytetarë e qytetare të të gjitha ngjyrave, besimeve e kushteve sociale nuk duan që autoritetet shpirtërore të japin e marrin me pushtete për pushtet e gjithëfarëlloj përfitimesh, ndërsa mijëra njerëzve u është mohuar fjala e lirë e shanset e barabarta. Në këtë kuptim, revolta e Nadezhda, Maria e Yekaterina mund të jetë ekstreme në mënyrën e vënies në jetë, por është shumë e rëndësishme përderisa shpreh një qëndrim politik, kulturor e socio-ekonomik për sa u përket lidhjeve të feve me pushtetin.

Gjithsesi rëndësia e protestës së tyre shkon përtej kësaj. Akti i tre femrave dhe gjithë ç’ndodhi më pas vë në vëmendjen e të gjithëve një botë ku ideologjitë e të gjitha krahëve shpesh harrojnë femrat, shumë predikues të fesë i konsiderojnë fillin e arsyen e mëkatit, pushtetet nuk ngrihen dot pa i përdorur dhe në fund të fundit, gjykatësja që iu dha dënimin ishte femër. Përballë gjithë këtyre ky akt vuri një model ndryshe femre. Femrën që ka parësore lirinë, femrën që limitet nuk ia vënë por i përkufizon vetë, femrën që nuk ka nevojë për hire që t’i dëgjohet fjala e as pranon të viktimizohet, femrën që angazhohet e s’ndalet nga paragjykimet.

Moska ku ato bënë lutjen feministe e Shën Pjetërburgu ku u dënuan mund të na duken larg, por në fakt janë shumë afër. Jo vetëm se vendet tona kanë fate të ngjashme, pushtete të ngjashme, vuajtje të ngjashme e se shteti rus ndikon thellësisht Ballkanin, por se në vendin tonë zemërvrarë mund të kuptohet më mirë se askund revolta e femrave. Marien tonë 17-vjeçare e vranë se gjaku i saj nuk di cilin gjak shpëlaka. Të tjera përsëri, çdo ditë vriten nga dhuna a vetëvriten nga varfëria e poshtërimi. Se je i/e poshtëruar në vende ku të është vrarë e drejta e revoltës. Ku i/e revoltuari/a, ja ashtu si Nadezhda, Maria e Yekaterina është quajtur huligan/e e vandal/e. Nadezhda, Maria e Yekaterina u vunë nën pranga për huliganizëm me një dënim përtej maksimales, sepse kanë lënduar thellë regjimet autoritare dhe mendësinë e tyre konservatore që bazohet në nënshtrimin e femrës, siç ndodh dhe në Shqipëri. Ato rindezën përpjekjen për liri bash aty ku bazohet e sigurohet nënshtrimi i një shoqërie, tek femra. Veshja e tyre jashtë klisheve të promovuara nga shoqëria e konsumit, kërcimi ku regjia e aktoret ishin ato vetë, fjala e tyre e pa frikë, liria që ato vetë e bënë e formulimi politik i zemërimit është shumë i bezdisshëm për pushtetin autoritar e mendjet konservatore, por është aty ku zë fill shoqëria e shanseve të barabarta. Revolta e tri femrave në Rusi sado e dënuar nga shteti e sado e konsideruar radikale apo margjinale flet për një shoqëri të padorëzuar. Flet për shenja ripërtëritje të fortë pa kompromise e pa frikëra të pjesës më të shtypur, dhunuar e përdorur të shoqërisë, femrës.

Nëse do të ketë një ripërtëritje shoqërore në Shqipëri, ajo fillon tek femra. Nuk flas për femrat që janë objekt zbukurimi për pushtetet, as për ato me etje për pushtet e komplekse madhështie. Flas për femra me ide, me kurajë, me dëshirë për bashkëpunim, me thjeshtësi. E ne kemi shumë si këto femra. Një pjesë të angazhuara, por pjesa më e madhe jo. Gjithsesi, kemi kapitalin e duhur femëror që mund të ndryshojë shumëçka. Prandaj dhe revoltën e Nadezhda, Maria e Yekaterina, me ose pa radikalitetin e vet, e dëgjova si një zë që na thërriste ne femrave. Na thërriste për bashkëpunim, për reagim. Na kërkonte të bëjmë më shumë që t’u japim zë femrave që s’lejohen ta nxjerrin atë. Na thërriste t’i hapim rrugë sa më shumë njëra-tjetrës. Na fliste për forma alternative revolte dhe guxim për të mos heshtur zemërimin. Kështu na fliste për feminizmin, i cili përbën një dinamikë shumë të rëndësishme të demokracive bashkëkohore dhe një kusht për çdo shoqëri që duhet të ripërtërihet, si kjo e jona.