Imazhi do të jetë kali i betejës së PD-së ose koalicionit pushtetar në këto zgjedhje. Argumenti themelor i PD-së po zhvillohet hap pas hapi. Çdo gjë e kemi bërë në mënyre perfekte. Shqipëria po ndryshon. Qeveria ka plotësuar çdo kusht e standard, sukseset tona janë historike. Ka vetëm një problem dhe ai është imazhi. Të tjerët kanë imazh të keq për ne. Aq më shumë që imazhin e keq e promovon bllokuesja dhe armikja e përparimit, opozita. E kjo s’është e vetme, por bashkë me gjithë ata që kritikojnë këtë pushtet të investimeve kolosale e të rrugës së kombit. Pushtetin që ka simbol liderin e palodhur, pishtarin e demokracisë, luftëtarin e pakompromis të diktaturës. Ne do t’i plotësojmë sukseset tona duke promovuar më shumë imazhin e tyre. Ca fytyra rinore do të gjenden për të duartrokitur rrëkenë e imazheve të sukseseve të pushtetit, ndërsa çdokush që nuk është dakord, padyshim, është imazhprishës, bllokues, negativist, pesimist, dhe s’i do të mirën Shqipërisë.
Kjo nuk ka të bëjë me reflektimin mbi imazhin e vendit në lidhje me realitetin e tij. Ky është një riprodhim i sotëm apo vazhdimësi e logjikës pushtetare të ndërtimit të imazhit që shqiptarët e njohin mirë. Kjo është logjika diktatoriale e imazhit pa brendësi. Logjika e imazhit autoritar që ndërton pamje “lumturie, prosperiteti, suksesesh”, gati krejt të kundërta me pamjet reale e të përditshme të shoqërisë. Çdo imazh tjetër që vjen nga kjo shoqëri, por nuk është në këtë linjë, s’mund të jetë veçse pjellë e mendjes armiqësore. Këtë bëri diktatura shqiptare veçanërisht pas “revolucionit kulturor”. Kishte ndërtuar një tërësi imazhesh suksesesh të hiperbolizuara që, po njësoj si sot, i shiste si heroizma pushtetarësh e ua hidhte dhe si lëmoshë shqiptarëve, të cilët në fakt çdo gjë të arritur e kishin me mundin e djersën e tyre. Është kjo veçori e regjimeve autoritare të mbështetura në disiplina partiake si ajo e PD-së. Ata strehohen në imazhet e lumturisë shoqërore e sukseseve shtetërore, të cilat i promovojnë me forcë për të shtypur pamjet që vijnë nga realiteti, trullosur ato që jeton këtë realitet e legjitimuar pushtetin. Nën këto lloj regjimesh vendi është i privatizuar nga kupola e lartë e partisë-shtet, ndërsa popullatës i shiten imazhe. Imazhe këto që shërbejnë dhe si mbulesë e për harresë të njollave të ndryshme nga ato të plehrave tek ato të gjakut të qytetarëve që pushteti aktual i ka mbi vete.
Në fakt, problemi me imazhin nuk është se po e gëlltit populli, i cili për kushtet me të cilat përballet ndikohet nga imazhet e “realizmit pushtetar” shumë herë më pak se vetë “elitat” që i ndërtojnë ato. Problemet me këtë logjikë imazhi, “realizmin pushtetar” janë të tjera, shumë më të frikshme. I pari është se ai përgatit legjitimimin e vjedhjes, është doreza e hajdutit. E dyta, është se i hap rrugë promovimit të kukullave që i shërbejnë regjimit. Këta janë njerëz pa arritje, dije e ndërgjegje që gjejnë mënyrën më të thjeshtë për të ngjitur shkallët që kurrë s’do i ngjisnin e marrë poste që me meritë kurrë s’do i kishin. Të dyja këto bashkë sjellin problemin e tretë themelor, demoralizimin, ndryshe humbjen e shpresës e besimit. Humbja e shpresës dhe besimit janë mbizotëruese në shoqërinë shqiptare, ku refreni ngrihet “çdo gjë ka marrë fund”. “Çdo gjë ka marrë fund” nuk i referohet veç shtetit që çdo qytetar e sheh çdo ditë si nuk funksionon. Ajo i referohet shtetit të kapur peng nga partia, e cila ndërsa promovon imazhet e “realizmit pushtetar”, përsëri do të manipulojë vullnetin e popullit, përsëri do t’u hapë rrugë mashtruesve e matrapazëve, e kështu përsëri do t’u vjedhë mundësitë qindra shqiptarëve.
Duke imponuar imazhet e “realizmit pushtetar”, si realiteti i përditshëm i vendit partitë-shtet po sfidojnë haptazi besimin e shpresën, pa të cilat në një shoqëri s’mund të ketë paqe e mirëqenie. Në shoqëritë ku nuk ekziston besimi te bashkëqytetari e shpresa se kjo shoqëri mund të prodhojë të mira të përbashkëta, sundon konflikti, tensionet e shumëllojshme, armiqësitë e dhuna. Besimi e shpresa janë dinamika nën mobilizimin shoqëror. Mobilizim ky që siç është konstatuar jo rrallë, është tashmë totalisht i venitur në Shqipëri. Për ta ripërtërirë duhet më përpara krijuar besim e dhënë arsye për të pasur shpresë. Zgjedhjet politike janë shanse që zgjidhin ngërçe të tilla në shoqëri. Shqipëria e ka një shans përpara, zgjedhjet legjislative të 2013-s. Në këto zgjedhje vetëm ekipi i së vërtetës mund t’i bëjë ballë diktaturës së imazhit, “realizmit pushtetar” të mazhorancës së sotme e të risjellë besimin e shpresën në shoqërinë shqiptare.
Duke pasur parasysh rastin e socialistëve francezë, por dhe shembujt që u sollën nga performanca e ekipit demokrat amerikan, do të thosha se ekipi i së vërtetës fillimisht ka ndjeshmëri sociale të shumëllojshme, analizon tërësisht shqetësimet qytetare e i bashkërendit në një program kompleks të standardeve ndërkombëtare. Ekipin e së vërtetës do ta quaja atë që tregon qartë diferencën mes logjikës imazhprodhuese për manipulim e së vërtetës dhe kurajës për të pranuar e thënë të vërtetën. Se vetëm kur ke pranuar e analizuar mirë të vërtetat mund të ndryshosh realitetin. Dhe ekipi i së vërtetës, nuk është prishësi i imazheve të mira që nuk ekzistojnë, por ndërtuesi i realiteteve të mira, që si të tilla janë të qëndrueshme.
Këtë rrugë në Shqipëri e ka filluar PS-ja dhe ajo ka përgjegjësinë historikë të na ofrojë ekipin e së vërtetës si partia më e madhe e spektrit politik shqiptar, por dhe ajo më dinamikja dhe më e rinovuara. Historia e qenies njësoj me palën në pushtet është historia e paragjykimit të një force që me formacionin e tanishëm (e me formën e pushtetit që kemi) s’ka qenë asnjëherë në pushtet. Është historia e legjitimimit të pushtetit që s’ka ku të mbahet veç në imazhprodhim, se për sa u përket prodhimeve të tjera, prodhon veç pasuri për veten. Është historia e interesave me pushtetin. Është historia e çlirimit të supeve nga përgjegjësi shoqërore. Është historia e qenies i “paanshëm” e i “ndryshëm” para popullit “të paditur” e “pabukës” që u “shkon prapa partive”. Është padyshim dhe rrjedhojë e aksioneve që kanë ndërmarrë disa aktorë në PS, tani ose më përpara. Por, si do të jetë, kjo nuk është historia e asnjë opozite në asnjë vend, e as nuk është arsye për të heshtur përpara ndryshimeve themelore. Dhe ndryshimet fillojnë nga gjuha e përdorur, te stafi i angazhuar në vazhdimësi e padyshim te lideri. I kritikuar sikur të ketë qenë 20 vjet Kryeministër, lideri i PS-së ka treguar se di të reflektojë, di të administrojë aq sa ka fuqi të sjelli risi.
E ka filluar me programin PS-ja rrugën drejt krijimit të besimit, besoj se duhet e mund ta vazhdojë paralelisht me ekipin. Padyshim, programi i nisur është prodhim i një ekipi, por unë flas për shpirtin e ekipit, atë harmoninë e mbështetjen reciproke që transmeton besim. E kjo nuk është të heshtësh diferencat, është t’i transmetosh ato në një mozaik ku nuk ka konfliktualizëm, por shumëllojshmëri, konkurrencë për cilësi, e diversitet. E kam parë te francezët e të gjitha krahëve se si pas zgjedhjeve ishin krenar se zgjodhën ekipin e duhur me liderin e duhur. Kishte një lehtësim të përgjithshëm, si çlirim nga një ankth. Problemet nuk i zgjidhën menjëherë as për 100 ditë, por shoqëria fitoi besimin në vetvete, rigjeti respektin për veten, (që dhe atje qenë lëkundur pavarësisht se jo sa në rastin shqiptar). Në rastin francez besoj se çelësi i fitores së socialistëve, që u përkthye në arenën ndërkombëtare si fitore e Francës, ishte shpirti i ekipit. Sepse ky shpirt e bëri vendin të ndihet një ekip që punon për një fitore të përbashkët. Dhe Shqipëria e sfilitur tashmë nga regjime që hiperbolizojnë e monopolizojnë suksese, sot më shumë se kurrë ka nevojë për fitore të përbashkëta me një shpirt ekipi. Këto janë fitore që çlirojnë shoqërinë nga ankthet e një shteti që në vend ta lehtësojë, ta vështirëson jetën. Këto janë fitore për njerëzit e thjeshtë, të vërtetat e të cilëve janë vështirësitë që hasin përditë. Këto janë fitore që bazohen në mobilizimin masiv të qytetarëve, të cilët realitetet e tyre mund t’i bëjnë shumë të mira vetë e s’kanë nevojë për një shtet që prodhon imazhe, realizëm pushtetar, ndërsa zhbën mundësi.