“KUR POLITIKA U (RI)BË MONOPOL I PUSHTETIT…”

Nuk është e para herë që përfaqësues të pushtetit bëjnë deklarata larg frymës demokratike, në shkelje të shumë parimeve të jetës komunitare e në fyerje të dinjitetit njerëzor, siç ndodhi në rastin e grevës më të fundit të urisë në zemrën e kryeqytetit shqiptar. Gjithsesi, ndoshta jo të gjitha kanë nxjerrë kaq zbuluar logjikën totalitare të tij sa ajo me të cilin vetë Kryeministri iu drejtua (në distancë) ish të burgosurve politikë në momente dramatike për çdo jetë njerëzore e veçanërisht tragjike për historinë kryelartë, por veçanërisht të dhimbshme të tyre. Kryeministri, kryetar i një partie politike, i “zgjedhur” si përfaqësues politik i një vendi, individ dy herë Kryeministër i vendit e dy herë president, i cili ka shprehur dëshirën të vazhdojë të jetë përfaqësues i lartë politik edhe në 2013-n e shumë gjatë më pas, ish të burgosurve politikë u tha me kritikë se kishin kërkesa politike e po i përdorte politika. Ky njeri që jeton me politikë tash 22 vjet, e në fakt s’ka ekzistencë tjetër publike përveç asaj politikes, deklaron se nuk mund të marrë në konsideratë disa qytetarë e kërkesat e tyre, për shkak të politizimit e lidhjeve të supozuara politike!

Aktivizmi politik është ai që mbron demokracinë dhe ai që mbron demokracia, por në logjikën totalitare e nën drejtimin e saj, politika kthehet në monopol të pushtetit. Ky është monopoli në bazë të të gjitha monopoleve që kthejnë shtetin në vegël të disave e vendin në pronë të po këtyre. Kundërshtia politike gërryen bazën e këtij monopoli, prandaj bëhet dhe faji më i rëndë. Nga ana tjetër, meqë monopoli politik, që ndër të tjera bën shtetin një me partinë, me anë të kontrollit të shtetit përfshin dhe kulturën, dhe ekonominë, dhe shoqërinë civile, çdo kërkesë kundrejt këtij shteti është kërkesë politike. Rropatja për të shpjeguar a janë politike, a ekonomike kërkesat e ish të përndjekurve politikë është e kotë. Pavarësisht çfarë fushe i përket e kush e thotë, çdo kritikë për qeverinë, dhënie zë e mangësive, e nxjerrje në dritë e problemeve, do të jetë përherë politike.

Në fakt është fyese të debatosh politike a ekonomike, me idenë se nuk qenka e drejtë protesta qytetare në është politike, kur angazhimi politik është një nga të drejtat themelore, kur lufta për liri e më pastaj për mirëqenie është fillimisht luftë politike, e kur ligjërimi antipolitik është pjella e vetë politikës. Është dhe më e turpshme të bësh problem politikën kur flitet për të burgosur politikë. Ky ligjërim, përveçse legjitimon dënimin e tyre për arsye politike, legjitimon dhe pushtetin që si diktatura do të marrë nën kontroll sjelljen politike të çdo qytetari, pushtetin që vendos cila sjellje politike është e “duhura”, e cila “të djeg”. Në fakt deklarimi se “keni kërkesa politike, s’mund t’ju marrim parasysh, përdoreni politikisht prandaj dhe gënjeni” ka si synim edhe opozitën. Ky është mesazhi pragzgjedhor për këdo që i shkon mendja të jetë në ndonjë farë dakortësie me opozitën, qoftë kjo dhe thjesht logjike, për shkak të nevojave qytetare. Në fakt, pushteti kish treguar se ata që iu përgjigjën thirrjes së opozitës edhe vriten, edhe shahen. Por tani ideja është që të gjithë ta shohin qartësisht ku përfundon kritika publike për pushtetin. Sidomos kur kësaj kritike i ka dhënë zë edhe opozita, të cilës pushteti i ka gjetur një vlerësim shumë të drejtë për logjikën e vet, penguese e bllokuese. E çfarë mund të jetë tjetër opozita që bën punën e vet për qasjen politike totalitare!

Ndërsa opozita, në rastin e ish të përndjekurve politikë, ka reaguar në një mënyrë dinjitoze sa politikisht, sa në aspektin njerëzor. Me këtë reagim na ka dhënë elementë të rëndësishëm të një ndryshimi me pushtetin në qasje ndaj shoqërisë e logjikë politike. Duke mbështetur kërkesat e ish të përndjekurve politikë, opozita po provon se në fund të fundit nuk kanë qenë pozicionet e ndryshme politike që ndanin shqiptarët mes grupeve me demek ideologjike. Por, ishte pushteti që hidhte qytetarët kundër njëri-tjetrit, duke krijuar armiqësi, nga të cilat përfitonte për të legjitimuar veten. Kështu opozita po flet për të përbashkëtat e atyre që kanë e patën kurajë të ngrenë zërin e angazhohen duke bashkuar qytetarët kur pushtetit i duhet t’i ndajë në rrogoza armiqësish të mëdha. Sidomos me rastin e ish të burgosurve politikë opozita tregoi se nuk e ka ndërgjegjen e gërryer e ndjeshmërinë e drunjtë para aksionit qytetar e vuajtjes njerëzore. Kur pushteti gjente dhe shpjegime kriminalistike për vetëflijimin e të burgosurve politikë, PS-ja ndërhyri që këta njerëz të marrin mjekim. Mund të ketë shumë të meta opozita, por ky ishte një aksion përgjegjshmërie qytetare, të cilën veçanërisht duke fyer grevistët, qeveria (ri)vërtetoi qartazi se nuk e ka. Dhe në fakt, jemi në pikën kur nuk duhet të anashkalojmë diferencat, pikërisht se politika s’është monopol i askujt. Pikërisht se ky pushtet duhet të ndërrohet në emër të dinjitetit njerëzor. E pikërisht, sepse ky ndërrim nuk kërkon siç ndodh përherë në Shqipëri zëvendësim pushtetarësh, por fitoren e qytetarisë demokratike që do të thotë angazhim, insistim, shumëllojshmëri.

Politika si monopol i partisë-shtet i dënoi shqiptarët për dhjetëra vite duke i grabitur qytetarit vullnetin politik, ndërsa mbijetesën ia lidhi me mbështetjen që i jepte këtij monopoli politik. Kjo ishte një prekje e rëndë e dinjitetit njerëzor që s’lejohej të prodhonte alternativën e vet, por duhej të ishte ose bashkëpunëtor, ose duartrokitës, ose i pazë, ose thellësisht teatral, për të mbijetuar, gjithsesi. Kjo ishte një fyerje e rëndë e përpjekjes së atyre që luftuan për liri. Ky ishte një shpërdorim i rëndë i mundit të atyre që donin Shqipërinë më të mirëqenë, më të begatë, më të barabartë. Kjo ishte një vuajtje pafund, për një shoqëri që ndahej artificialisht se pushtetit i duhej të ruante politikën si monopol, e bazën e gjithë monopoleve të tjera. As sot, 20 vjet pas atij pushteti, nuk kemi shpëtuar dot nga ato që nuk dinë ta shohin ndryshe politikën veç si monopol të pushtetit. As sot, pas 20 vjet ndarjeje me diktaturën ne s’kemi shpëtuar dot nga refleksi i naltsimit të pushtetit. As sot pas 20 vjetësh rropatjeje pluraliste ne s’kemi shpëtuar nga komplekset politike e me politikën. Gjithsesi, ka një gjë fort ndryshe sot. Njerëzit e thjeshtë, të vrarët e vetëflijuarit e kanë nxjerrë krejt lakuriq “mbretin e politikës”, duke e lënë në fill të lëkurës së tij totalitare. E kështu është i detyruar të sillet në Shqipëri të paktën për 9 muajt në vijim. Edhe kjo është diçka… Një dhuratë e politikës. Jo asaj monopol, por e politikës qytetare të popullit të angazhuar e shpirtit opozitar.