Ishte pak muaj më parë, ndërsa lexoja librin e Barbara Kingsolver “Bibla e Pemës Helmuese”, që vëreja me dhimbje se shumë aspekte të jetës në Kongon e paskolonializmit belg ishin si në vendin tim pak para fundit të diktaturës, gjatë viteve të pluralizmit dhe sot. S’ka nevojë të lexoni të tërë librin që ta kuptoni këtë, ndonjë pasazh do të mjaftonte. Ja ç’thotë Leah Price Ngemba, një nga personazhet kryesore të romanit, ndërsa shpjegon jetën e saj të përditshme në Kongon e mes-viteve ‘60: “Lajmi më i fundit nga Mobutu është se ai po sjell dy boksorë amerikanë, Muhammad Ali dhe Geoge Foreman në stadium, në Kinshasa. Lajmërimi ishte në radio këtë mbasdite. Unë e dëgjova pa vëmëndje, sepse atë ma kish tërhequr drama që po zhvillohej në kuzhinën tonë” (f. 507). Romani më i suksesshëm i autores amerikane Kingsolver flet veçanërisht për vështirësitë e jetesës në Kongon/Zairen nën Mobutun, vendin të cilin Leah, amerikania e martuar me një vendas, e vlerëson kështu: “Si mund të filloj të shpjegoj kompleksitetin e jetës këtu në një vend ku lidershipi përfaqëson standardin e korrupsionit absolut” (f.511). Nuk kishte nevojë të thoshte asgjë tjetër libri që unë ta përngjaja me vendin tim, por ishte veçanërisht kur pashë mbrëmjen më të fundit gala ku parakalonte lidershipi pushtetar shqiptar që m’u duk sikur m’u shfaq parasysh diktatori Kongolian Joseph Desiré Mobutu, jetën nën të cilin Kingsolver përveçse me mjeshtëri letrare e sjell dhe me ndjeshmëritë e një studiueseje.
Mobutu jetonte në vila luksoze e gjatë pushtetit bëri pasuri pafund, ndërsa pjesë të tëra të popullatës kalonin drama në kuzhinë si ajo e Leah Price, e cila nuk dinte a do mund të arrinte të ushqente çdo natë katër fëmijët e vet, se për vete qe mësuar me urinë që kur kish ardhur fëmijë në një fshat të Kongos. Dhe Leah e rritur jetonte përsëri në varfëri, sepse ajo nuk gjente dot punë, meqë i shoqi ishte aktivist i opozitës. Dhe dhjetëra familje jetonin në skamje për shkak të pushtetit të korruptuar e nepotik, politikat publike të të cilit krijonin një zhvillim social të sëmurë me diferenca kolosale të ardhurash e mundësish mes grupeve shoqërore. Imazhet e mirëqenies së tij e familjes dhe grupeve pranë tyre Mobutu i servirte sikur të ishin të të gjithë vendit, ndërsa miliona harxhoheshin për të sjellë sportistë, artistë të famshëm e për t’i bërë reklamë në gjithë mënyrat “Kongos që po zhvillohet”. I vetëdeklaruar nacionalist dhe antikomunist Mobutu drejtoi për shumë vite duke shtypur me gjithfarë mënyrash opozitën në atë që quhej Republika Demokratike! e Kongos.
Parakaluesit pushtetarë në mbrëmjen gala m’u dukën si një tërësi Mobutute ku s’ka rëndësi sa përgjegjësi ke në skamjen qoftë dhe të një qytetari, por është shumë e rëndësishme si paraqitesh në darka gala para kamerave e para përfaqësuesve të vendeve të tjera. Parakaluesit pushtetarë m’u dukën si një grup Mobututush që ka kohë për argëtime ultra mondane e ultra luksoze në një vend ku priten krerë femrash, ku fëmijët vdesin nga skamja, ku ka fshatra të tërë, po dhe rrethina qytetesh pa shërbime mjekësore, ku ka hapësira të tëra rurale me mungesa shkollash, ku ka familje të tëra të ngujuara e vrasje për gjakmarrje, ku vetë pushteti i ka vënë standard vetes të bëjë rrugë, domethënë ku s’ka as rrugë, ku njerëz janë vrarë se kërkonin shanse të barabarta, e ku disa qytetarë arritën deri aty sa të djegin veten. Parakaluesit pushtetarë ishin padyshim një grup Mobutut përderisa me krenarinë (arrogancën në fakt) më të madhe dilnin e ridalin para qytetarëve, pa ia ndjerë farë për mundësitë e pasuritë që ato vetë e njerëzit e tyre i kanë në kurriz të mijëra të tjerëve, njerëzve të thjeshtë, të ndershëm që s’duan lëmoshë e as i kanë zili paratë e pushtetin, por duan thjesht të mos i vjedhin shanset.
Dhe më e madhja parti pushtetare PD-ja, është e stilit Mobutu dhe për shkak të kultit të liderit, po këtë ta lëmë mënjanë se kjo kërkon një shkrim të veçantë. Gjithsesi, problemi më i madh i pushtetit Mobutut është vështirësia për t’i bërë opozitë. Ky lloj pushteti është në shërbim të grupeve. Grupet e përfshira në të kanë përfitime kaq të mëdha sa çdo gjë duan ta zgjidhin mes tyre pa pasur nevojë të përfshijnë si pjesëmarrës e përfitues qytetarin i cili, në vend të ketë pushtetin në shërbim, bëhet shërbëtor i tij. Në këto raste mundësitë e pushtetit rriten aq sa dhe arroganca e pafytyrësia e tij. Dhe shpresa rrënohet, kur lidhjet mes grupeve, që mund t’i quajmë pa drojë kolonizatore vendase, bëhen aq të pandashme sa s’ka rëndësi cili duket në pushtet e cili opozitë, logjika është e njëjtë; “ndajmë vendin mesvedit”. Ka vetëm një rrugë për të thyer këtë rreth vicioz: mobilizimi masiv i qytetarëve, jo për të ndryshuar pushtet, por për të rindërtuar, ripërtërirë shoqërinë, e rilindur besimin e shoqërisë në forcën e saj për të ndërtuar e përparuar shtetin. Ky lloj mobilizimi, me bazë shpresën, ka programin si rrugë, strategjinë si udhërrëfyes, por mbi të gjitha ka qasjen, burimin e strategjisë e orientuesen e programit, që bën ndryshimin e thellë.
E në kuptimin e qasjes më bënë përshtypje e dhanë veçanërisht shpresë dy momente nga pjesët e reflektuara në media, të fjalimit të liderit të opozitës në Kongresin e Gruas. E para ishte kërkesa që të arrihej “në çdo vesh e në çdo zemër”, dhe e dyta qe thirrja “më ndihmoni!”. Këto janë shprehi të një qasjeje që nuk e ka prej vitesh politika shqiptare. Kërkohet që jo vetëm të arrihen individët në masë për t’i folur mendjes që njerëzit të shohin diferencat, të angazhohen e angazhojnë. Por, i flitet zemrës për të arritur ose ringjallur besimin në ndryshim dhe marrë bekimin për ta drejtuar ndryshimin, rigjenerimin, rindërtimin. Qëllimi i parë, ai të shkuarit “në çdo vesh” flet për një angazhim të madh, një moslimitim me votat që opozita i ka e ato që do mbrohen nga vjedhja. Bëhet fjalë për synimin drejt votës masive që vjen si rrjedhojë e shumë zërave bashkë që dëgjuan, kuptuan, kritikuan, transformuan programin e me votë nderojnë e ndëshkojnë. Qëllimi i dytë, ai i arritjes “në çdo zemër” përbën një mision shumë të veçantë e shumë të vështirë se zemrat e qytetarëve janë thellësisht të vrara e zhgënjyera prej pushtetarëve e opozitarëve në vite.
Gjithsesi arritja e zemrës qytetare përbën rrugën e vetme drejt shkundjes e shkuljes së rrënjëve të thella të Mubutuve në politikën shqiptare. Veçanërisht sepse, nëse përfaqësuesve të PS-së i thuhet shkoni “në çdo zemër”, s’ka rrugë tjetër veçse ato të jenë vetë me shumë zemër, që do të thotë me shumë thjeshtësi e me shumë sinqeritet. Tentativa është të shkohet tek qytetari me ata që janë të bindur se marrja përsipër e drejtimit të ripërtëritjes shoqërore nuk është rruga e pushtetit, por shërbimit, nuk është rruga e pozitës, por e sakrificës. Ky është një mision shumë i vështirë, sepse nuk pranon përfaqësues me shqetësim postesh, që veçse do të na zgjasnin kolonializimit tonë nga tanët, por kërkon përfaqësues që nuk i zë as “mbrëmja gala” e as vendi kur bëhet fjalë për vendin e të gjithëve. E thirrja për të shkuar “në çdo zemër” merr një kuptim të veçantë e shoqëruar me “më ndihmoni”. “Më ndihmoni” vinte me një zë të fortë, por mua m’u duk fort e brishtë. E brishtë nga shqetësimi që shkon përtej marrjes së pushtetit, por ka hallin e vendit, i cili pa një përpjekje të përbashkët nuk del dot nga bataku i korrupsionit total e hipokrizisë pa limit në të cilin na kalli ky pushtet, nga bataku i politikave të gabuara të cilët na i dhuruan pushtetarët në vite, e me të gjitha këto bashkë nga bataku i pandjeshmërisë që mbretëron në Mobutuizëm. Kjo kërkesë ndihme i bën dy misionet e para (në çdo vesh e në çdo zemër) të shumëfishta përderisa fillimisht i flitet ndjeshmërisë së bashkëpunëtorëve. Ndërsa më pas e përfundimisht i flitet ndjeshmërisë së njerëzve për të mos mbyllur mendjen e zemrën, se një opozitë vjen e një tjetër shkon, një pushtet vjen e një tjetër shkon, veçse të nesërme pa besim, të ardhme pa bashkim, e mbi të gjitha përparim pa mirëkuptim, nuk ka.
A do të mbetet ky burim strategjie, orientim programi, si rrjedhim dhe strategjia e programit vetë thjesht ligjërim? A do të mbetet kjo qasje me një akt, atë të formulimeve gjuhësore? Shumëçka varet nga sa do ta përkrahin, përhapin, tejçojnë këtë aktorët në PS e sa qytetarët do të duan e do të mundin ta hapin zemrën. Gjithsesi, me këtë qasje kjo opozitë dha shkëndijat e një opozitarizmi që nuk vetëkufizohet e nuk do t’i dorëzohet rrugës Mobutuiste të marrjes së pushtetit. Opozita tregoi se ka vizionin e di aksionin që mund Mubutuizmin, siç jeta e personazheve të librit e tregon se mund të bëhet, ndërsa në fund të romanit na sillen si eko në veshin e nënës fjalët e vajzës 5 vjeç, motrës së Leah, që u vra nga skamja në një fshat të Kongos: “Dëgjo. Lëre peshën të rrëshqasë nga supet dhe ec përpara. Ti ke frikë se do të harrosh, por jo kurrë nuk do të harrosh. Ti do të falësh dhe do të kujtosh. Mendo atë degëzën dredharake që mbin nga ajo hapësira ku dikur ishte zemra ime. Ajo është e vetmja shenjë për të cilën ke nevojë. Ec përpara. Lëviz tej, drejt dritës” (f.614).