PD ose pragu për t’u kapërcyer!

Gazeta Dita, 7 Prill 2013

“Prit i her” ishte shprehja e tim gjysh kur ishte fjala për të reaguar ndaj një situate. Kjo kishte brenda “shif i her, mendo i her, praj i her, dëgjo i her.” I ngjan kjo një frymëmarrjeje të jogës. Asaj frymëmarrjes së thellë që shpërndan ajrin në çdo qelizë të trupit, bota jashtë është marrë brenda, duke iu dorëzuar gjykimit tënd dhe ti: “pret një here, sheh një here, mendon një here, hesht një herë, dëgjon një here” Pastaj, vjen çdo reagim i cili tashmë ka parë edhe veten, edhe botën dhe i ka dhënë mundësi mendjes, zemrës, trupit të dëbojë interesat, dufet, egot, ankthet, thashethemet, një mijë një pamje që të qërrojnë syrin, qindra zëra që të bëjnë kazan që zien apo dhe kosh plehrash kokën. Kjo nuk është mungesë kurajoje për të reaguar, apo ikje situatës. Eshtë të respektosh veten dhe të tjerët, të respektosh ekzistencën, ekzistencialën. Ti japësh shans kurajos të dalë siç është pa u llakaçitur rrugëve, ti japësh shans mendimit të jetë i formuar si buka, si vera,  i kthjellët si natyrshmëria, si uji.

 

Lajmi se LSI do bashkëpunonte në zgjedhje me PS dhe ftesa zyrtare e PS qe një moment unik për të parë sa shoqëria shqiptare ka forcë reflektimi, sa është ajo e zhvilluara që “pret një herë, bën frymëmarrjen e thellë” dhe pastaj reagon me bindjen e përgjegjësinë se çdo reagim i secilit sot është një eko në të ardhmen e qindra mijërave shumë vite më pas. Fatkeqësisht ne nuk e pamë dot këtë, as kemi për ta parë kollaj se në një anë rrjetet sociale u mbytën nga ata që kërkojnë llogari morali duke sharë, ato që gjetën rastin të bëhen flamurtarë të moralit, pak nga të shqetësuarit apo dhe zgënjyerit sinqerisht dhe mbi të gjitha me militantët e PD që krijuan oqeane lotësh krokodili për 21 Janarin. Nga ana tjetër në opinionin publik ka shumë analistë, të cilët janë mpleksur në gjithfarë mënyrash me pushtetin, tani e në vite, por japin opinione sikur të jenë ëngjëj a profetë lart në qiell që vështrojne krejt pa faj a pa pasur gisht në “tmerret që djajtë politikë po bëjnë mbi popullin e shkretë.”

Fatkeqësisht për dy ditë rrjeshtë u mbytëm nga moralistë të njohur a të panjohur dhe nuk pashë dikë ndër to që pyeti: si lidhen sistemet politike me shoqërinë; si kemi ardhur në këtë moment; sa i sinqertë jam unë si individ në kontributin tim në shoqëri; çfarë jap; çfarë kam dhënë; cili është kontributi i secilit, nga qytetari më i panjohuri tek më i njohuri, në gjëndjen që sistemi politik shqiptar është sot? E lehtë t’ia hedhësh fajin tjetrit apo jo! Të mos mendosh se çdo konformizëm, çdo thashethem mbi mundin e dikujt, çdo nënkëmbës suksesit a të sukseshmëve, çdo interes grupi  në dëm të së tërës, çdo fiksim për të dalë veç vetë përpara duke shkelur kontribute, çdo servilizëm, çdo duatrokizëm, çdo padrejtësi berë njëri a tjetrit, çdo mungesë kurajoje për ti thënë gjërat siç janë, shumica e pushtetarëve tanë tash 100 vjet, nëpunësve të papërgjeshëm, komisionerëve të uritur, dhe urisë për pasuri e pushtet na sollën këtu sot. Ku është këtu?

 

Këtu është vendi ku dihet se ai që mban karrigen e kryeministrit të Shqipërisë e ka krenari të vjedhë vota dhe njëkohësisht pasion që menjëherë më pas të japë leksione lirie e demokracie. Ky është momenti kur gjithë ndërkombëtarëve brenda e jashtë i ka hyrë lemeria nga kasapi i Shqipërisë së ’97-s dhe janë të bindur se ai për të ruajtur pushtetin, përveç Shqipërisë, mund të bejë kasaphanë edhe Europën Juglindore po të jetë në dorë të tij. Këtu ështe vendi ku jemi të drejtuar nga një njeri që s’ka veç namin lebetitës, të cilin e ka krijuar dhe vetë për t’i shtirë harminë dynjasë, por është  vërtetë lebetitës. Dhe për këtë miq, të marrim frymë thellë e ta pranojmë se e kemi fajin si shoqëri!  Të marrim frymë thellë dhe ta pranojmë se s’kemi pikën e të drejtës të bëjmë moral. Moralin tonë shoqëror, atë shumë të paktin në politikë, atë të shumtin e aktivizmit qytetar e vramë me Qemal Stafën, Xhelal Koprenckën e të tjerë, e burgosëm me Musine Kokalarin, i hapëm gropën me shëmbjen e kishave e xhamive, e ngjeshëm në gropë e i hodhëm dhé sipër në Gërdec dhe i vumë tabelën i ‘përjetshëm qoftë kujtimi yt’ me trupat e katër të pafajshmëve me 21 Janar.

Moralin i dashur lexues, e dashur lexuese mendoj se mund ta gjejmë vetëm pas frymëmarrjes së thellë, por ne atë nuk e kemi bërë dhe kam frikë nuk e bëjmë dot fare përderisa të ekzistojë kështu siç është Partia Demokratike e Shqipërisë, bashkë me votat e Islamit, Dogjanit e Kadelit. Sepse kjo është partia e lotëve të krokodilit, partia e eksponentëve që i rrahin krahët Berishës për votat e vjedhura e pastaj këlthasin për nder e moral, partia e figurave që kërkojnë moral kur s’lanë familje pa përgojuar e koleg pa spiunuar, partia e disave që shkruajnë rrjeshta qoftë dhe krejt të kundërta nga ç’ka mendojnë, partia që funksionon për anëtarët e thjeshtë si ish-sigurimi i shtetit, partia që s’la të paaftë pa bërë ministër, partia që në deklaratat e veta përmban ndotjen shekullore të kulturës politike shqiptare, partia që sot me një vend pune, buka e gojës, mban peng qindra mijëra familje e kërcënon të tjera për ti marrë me zor votën, partia që po përdor si mos më keq dhimbjen e njerëzve nga ato të përndjekjeve diktatoriale deri tek vrasjet autoritare të 21 Janarit. Ky është veç fillimi i asaj ç’është PD’ja sot. Por më kot të zgjatesh, se në fund të fundit PD’ja sot është dënimi jonë 100 vjeçar.

 

Nuk gjej ndonjë justifikim për LSI’në që e mbajti këtë far’ partie në pushtet. As për korrupsionin që tregoi gjatë këtij katër vjeçari. S’gjej e as kam pse mundohem të gjej justifikim për klasën politike, që haptazi apo fshehtazi, iu bë krah Berishës e gjithë ç’ka ai pranë që të na sundojnë siç po sundojnë. Por pragu që duhet të kapërcejmë drejt një shoqërie me qeveri normale, trajtim problemesh në mënyrë normale, biseda normale e dialogë njerëzorë ngelet PD dhe lideri i saj. Më pas do ketë përsëri probleme politika, siç i ka gjithandej në fakt, qeverisja etj. por do kemi hyrë në një 100 vjeçar të ri në politikë, e me gjasa dhe në shoqëri. Do të jemi një vend ku, si tani në shumë vende europiane ka probleme me besimin në politikën, shumë më të thella se në Europë me ekonominë e po ashtu në aspekte sociale. Por ama do të mund ti trajtojmë këto probleme, kritikojmë e bëjmë presion qeverisjes pa boritë shurdhuese të shumë militantëve (mitingashë, gazetarë, deputetë e ministra) pa pikë fytyre të PD, dhe përdorim argumentë të besueshëm e mekanizma shoqërorë nëse jemi kundra politikës.

Për të arritur tek një normalitet, një hap më afër vendeve të zhvilluara, tek frymëmarrja e thellë a i justifikon qëllimi mjetet? Përderisa kjo pyetje të jetë siç është, veçanërisht tani, e mbështetur dhe në shumë raste e sponsorizuar nga partia që përfaqëson llogjikën e ish-sigurimit të shtetit, PD’ja, mendoj se nuk qëndron si pyetje. Që të qëndrojë duhet të kapërcejmë pragun dhe menjëherë pas tij, si fillim, tja pyesim secili vetes…