Për 100 vjetor, analfabetë me diplomë

Gazeta Dita, 16.11.2012

Ishte një deklaratë e Ministrisë së Arsimit që më bëri të aplikoj një “teknikë” të shkencave sociale, ndaj një termi të dëgjuar shpesh në Shqipërinë bashkohore, analfabetizmit. Teknika shkurtimisht quhet socio-historizim i termit. Me këtë studjuesi/studjuesja mundohet të kuptojë nëse një term i caktuar ka ndryshuar kuptim brenda një periudhe ose nga njëra periudhë në tjetrën. Do t’ju jap një shembull. Kam punuar mbi termat që përdoreshin në lidhje me “rininë” në vitet ‘30-të në Shqipëri. Në një periudhë 19 vjeçare, 1920-1939, përdoren disa terma të ndryshëm, të lidhur këta me evoluimin e shoqërisë në vite. Si rrjedhim me kalimin e viteve ndryshoi grup-mosha që përfshinte “rininë,” ndryshoi roli ekonomik që luante kjo grup-moshë, pritshmëritë shtetërore e shoqërore ndaj saj, botëkuptimi i individëve që hynin në këtë klasifikim, evoluan interesat e tyre kulturore, politike, ekonomike. Rrjedhimisht, socio-historicizimi tregon se termat nuk janë një tërësi tingujsh e artikulim me përkufizim të fiksuar, por një tërësi dinamikash shoqërore që evoluojnë.

Në këtë kuptim mendoj se përsa i përket Shqipërisë bashkëkohore termi analfabetizëm përfshin një sërë dinamikash që i japin një kuptim më të gjerë nga “s’di shkrim e këndim.” Dhe ky kuptim i zgjeruar nuk është aspak metaforik, por ka lidhje me një problematikë shoqërore shqiptare. Ministria e Arsimit, para pak ditësh, deklaroi se nuk ka problematikë analfabetizmi në Shqipëri meqë gjithë 6 vjeçarët janë regjistruar në shkollë. U nënvizua e rinënvizua, regjistrimi 100% i tyre në shkolla. E zemë për një moment se statistikat e pushtetit, që ka manipuluar statistika si asnjë më përpara në këto 100 vjet, janë të sakta. Por, përsëri, Ministria konsideron rregjistrimin si frekuentim. Përtej kësaj, supozon se ambjentet e shkollës janë në gjendje për zhvillim normalisht të mësimit kudo në Shqipëri, se rruga për në shkollë është në kushte optimale në çdo cep të vendit, se mësuesit mund të vazhdojnë mësimin rregullisht dhe në zonat më të thella (e në çdo stinë), dhe se të gjithë fëmijët kanë mundësi ekonomike të vazhdojnë shkollën (për t’u regjistruar nuk kushton gjë).

Ministria harron, shpresoj nga zori, se Shqipëria është bërë, veçanërisht gjatë këtij pushteti, markë botërore e diplomimit pa shkollim. Dhe ky, nuk ka lidhje veç me djalin e Bossi-t, se dihet që djemtë e bosave e djemtë bosa bëjnë ç’të duan në vend, por dhe me një histori të gjatë diplomash të fallsifikuara që i përkasin të gjitha niveleve. Këtë dhe mund ta pranonte se nuk ka lidhje vetëm me këtë qeveri, por instinkti i fshirjes së problematikës është simptomë e hershme e këtij pushteti. Gjithsesi diplomimi pa shkollim (apo marrja e dëftesës pa frekuentim), janë aspektet më të thjeshta nga një seri të cilat nuk i vë në kandar Ministria kur flet për problematikë analfabetizmi. “Harrohen” fëmijët e ngujuar të cilët as që guxojnë të dalin nga dera e shtëpisë, jo më të shkojnë në shkollë, ashtu siç harrohen dhe ato në moshë parashkollore të cilët i vrau skamja dhe i mban sot akoma i freskët dheu i këtij vendi.

Ministria bën llogari të thjeshta numrash, përkufizon analfabetizmin ashtu siç dhe para 100 vjetësh, mosdije shkrim-këndimi, dhe hesapet dalin shkëlqyeshëm! Mirë që as me këtë lloj vlerësimi nuk i bie të jetë aspak shkëlqyeshëm, por fëmijët nuk janë numra, analfabetizmi sot nuk është shkrim-këndim, dhe arsimi aq sa është në qendër të problemeve shoqërore aq dhe është i ndërlidhur me to në mënyrë të pazgjidhshme. Si rrjedhim, asnjë mendje profesionale dhe e përgjegjshme nuk do të bënte një deklaratë për analfabetizëm duke e lidhur thjesht me rregjistrimin në shkollë apo dhe me një grup-moshë, kur problematika është shumë më komplekse. Sido të jetë, këtë herë Ministria nuk është gabuar kur thotë se problematikë analfabetizmi nuk ka.  Meqë, dhe këtë nuk e thotë, problematika e analfabetizmit ka ndryshuar natyrë dhe është më e rënda që kemi pasur në 100 vjet: bëhet fjalë për analfabetë me diplomë shumica të punësuar në shtet.

Në në qëndër të analfabetizimit, përherë pengesë kryesore e zhvillimit të një shoqërie dhe burim i ngushtimit të mundësive, sot qëndrojnë analfabetët me diplomë, të cilët prodhojnë analfabetizëm, promovojnë analfabetizëm, provokojnë analfabetizëm. Këta kanë gjithfarë diplomash (deri dhe doktoraturë) të rreme të cilat u duhen thjesht për të justifikuar postin e paracaktuar nga intensiteti i militantizmit për Partinë apo kryepushtetarin. Mirë që s’dinë abc-në (me dëshirë!), por si rrjedhojë e kësaj nuk dinë as abc-në e detyrës që kanë. Të tjerë si këta janë me diploma të vërteta në fakt, por e kanë të vështirë të lidhin fjali në mënyrë korrekte apo vënë dy fjalë rrjesht në një shkresë. Një pjesë e mirë e këtyre janë të veshur shtrenjtë e me ultra makina nën vete, por që ngelen analfabetë të detyrës, e padyshim analfabetë për sa i përket leximit të diçkaje që nuk është faturë!  Një pjesë të anlafabetëve i kemi në parlament. Këta nuk dinë shkrim-këndim, se po të dinin do të reflektonin, veçse dinë të zbatojnë me përpikmëri dhe pa asnjë pikëpyetje direktivat e kryepushtetarit.

Ndaj, insistoj, Ministria e Arsimit ka të drejtë kur deklaron që s’ka problematikë analfabetizmi në Shqipëri, sepse është pjesë e pushtetit që i ka hapur udhën diplomimit të analfabetëve. Në këtë kuptim termi analfabetizëm ka ndryshuar totalisht brendësi e ka të tjera dinamika; më të pazgjidhshme, më të rënda, më të vrazhda se 100 vjet më parë. Por, siç thonë “post-modernistët,” historia s’është një vizë lineare që ecën drejt diçkaje. Ka kthesa, rikthime, rrotullime, vazhdimësi. Të vështira janë rikthim-vazhdim-rrotullimet e historisë së arsimit shqiptar që duket në një qorrsokak, vorbull, rreth vicioz sot më shumë se kurrë. Gjithsesi, të arrish të kesh analfabetë me diplomë, dhe me poste, s’është e lehtë. Kur kemi arritë këtë, një Zot e di, sot e mot, sot për nesër çfarë do të arrijmë. Dhe kjo s’është shaka: në momentin kur errësira është më e thellë lind drita, at’herë diçka, afër duhet të jetë…