E gjithë rruga që përfundoi me hapjen e kësaj hapësire sot, ka filluar një vit e gjysmë përpara, me një dëshirë të Kryeministrit që t’u niste një letër falënderimi ambasadave që do të dhuronin libra për bibliotekën e Kryeministrisë.
Mesazhi i Kryeministrit drejtuar një grupi të vogël njerëzish fliste për përgatitjen e një draftletre falënderimi, fillimin e një procesi të digjitalizimit të arkivave të Kryeministrisë dhe mundësinë e vënies në dispozicion të artistëve të hollit protokollar.
Sot, më 8 korrik, kur kanë kaluar gati 18 muaj nga ai mesazh pune, është hapur tashmë holli protokollar për publikun me tre punime, Sign, Attraction dhe Tribute, të njërit prej artistëve më të njohur bashkëkohorë, Thomas Demand.
Këtij holli ekspozimi i janë shtuar dy salla të tjera, të cilat ishin hapësira depozitimi gjithfarëlloj sendesh, mu në zemër të një ndërtese historike.
Njëra nga këto i është dedikuar njohjes me tre emra kuptimplotë të skenës botërore të artit bashkëkohor, hapësira tjetër i ofron publikut një ekspozitë speciale të një pasurie, vlere apo profesionalizmi, ndoshta të harruar, ndoshta disi të humbur, por që mund t’i thotë shumëçka të nesërmes sonë si shoqëri që ka ambicie e potenciale krejtësisht të pavlerësuara.
Por, për t’u kthyer te porosia, është krijuar biblioteka e Kryeministrisë, tashmë e regjistruar në sistemin ndërkombëtar COBISS, i cili ndërlidh dhe vë në dispozicion të lexuesit mijëra katalogë në mbarë botën, ndërkohë që integron dhe katalogun e bibliotekës së Kryeministrisë, i cili është tashmë online në faqen www.cod.al.
Pa dyshim që kjo e sapohapura është një bibliotekë në zhvillim, por ka të ndërtuara tashmë koleksionet e saj bazë, i pari ai i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Bashkimit Europian;
I dyti, ai bibliografik ku, përveç enciklopedive e fjalorëve të një larmie të veçantë, vihen në dispozicion të publikut të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave, që nga viti 1945, por dhe fletore zyrtare që nga fillimi i viteve ‘20.
I treti, koleksioni i artit, arkitekturës e planifikimit urban dhe i katërti, koleksioni special “Ardian Klosi”, ku gjenden jo vetëm librat e zotit Klosi, por librat me të cilët një prej intelektualëve më mendjendritur të Shqipërisë moderne ka punuar, ka përdorur e ka mbledhur.
Biblioteka është në bisedime për një koleksion tjetër special që mund të sjellë në zemër të Shqipërisë një nga bibliotekat më të pasura e më interesante të qytetit të Bostonit.
Nga salla e bibliotekës së Kryeministrisë, jo vetëm punonjësit e kësaj ndërtese, për shumë prej të cilëve ishte e domosdoshme, do të mund të gjejnë versionin e digjitalizuar të arkivave të Kryeministrisë, por dhe i gjithë publiku që është i interesuar të dijë më shumë çfarë dokumentesh ka prodhuar që në 1914 kjo ndërtesë, e cila ka ndikim të përditshëm në të ardhmen e secilit prej qytetarëve shqiptarë.
Por për ato që nuk duan të kalojnë kohë të gjatë me dokumentet, por thjesht t’i hedhin një sy brendësisë, përballë sallës së bibliotekës qëndron salla e arkivit të digjitalizuar, e cila vë në dispozicion të publikut dy burime kryesore: me anë të tabletave, mijëra dokumente të digjitalizuara tashmë të arkivit të kësaj ndërtese, por po ashtu, qindra mijëra foto të arkivit në digjitalizim e sipër të Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
Të gjitha këto foto, 168.000 gjithsej, që datojnë nga 1945-a, do të sillen për publikun dhe me anë të kurimeve të personazheve të ndryshme që do të ftojmë në vijimësi të prezantojnë këtë pafundësi vështrimesh e prezantimesh të së përditshmes shqiptare, sipas këndvështrimit të tyre.
I pari kurator është Zef Paci, i cili ka zgjedhur të përballë të përditshmen me politikën, si jo rrallë në historinë shqiptare, shumë të kundërta me njëra-tjetrën.
Pra, ajo porosi e Kryeministrit përfundoi kështu, por jo krejt kështu.
Është rinovuar dhe përforcuar i gjithë kati i parë i Kryeministrisë dhe kati përdhe, rinovimi i të cilit vijon, duke u shpëtuar nga errësira, lagështira, mosmirëmbajtja dhe mosrespekti më i theksuar për të shkuarën e vendit dhe për mundin e çdo gruaje e burri të apasionuar që ka punuar, e disa vazhdojnë punojnë edhe sot, pa dallim se kush ishte titullari apo Kryeministri.
Janë shpëtuar nga mbytja përjetësisht në lagështirë e kushte pa asnjë lidhje me ato të ruajtjes së standardeve europiane, apo qoftë dhe ato të së shkuarës shqiptare, mijëra dokumente të arkivit të Kryeministrisë që, përveçse mjete pune të administratës e burime parësore të studiuesve, janë një seri dëshmish të së djeshmes, me të mirën e të keqen e saj, të shëmtuarën e të bukurën e saj, si një seri mësimesh e asetesh për të ardhmen.
Pa dyshim, ky është fillimi i një digjitalizimi të qëndrueshëm, që është një proces transparence dhe implementimi i ligjit, sepse ligji shqiptar hap për publikun me kritere të qarta pjesën më të madhe të arkivave institucionale, por në kushtet se si ruheshin e vazhdojnë të ruhen arkivat, bëhej fjalë dhe për pamundësi të implementimit të ligjit.
Digjitalizimi që vijon, sa në Kryeministri, sa në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, reflektohet tashmë në mjediset e hapura për publikun në Kryeministri, ku me qindra dokumente janë tashmë online, e në faqen e internetit të kësaj hapësire, www.cod.al është online katalogu që tregon në detaje brendësinë e këtyre arkivave, duke i ofruar çdo të interesuari edhe një panoramë të formës institucionale e dokumentacionit të administratës publike në vite.
Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i disa institucioneve, si Agjencia Telegrafike Shqiptare, Arkivi Qendror i Shtetit, Biblioteka Kombëtare, por dhe Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, i cili vuri në dispozicion skanerë dhe burime njerëzore që të përshpejtonim punën, jo vetëm ka ulur dramatikisht kostot e projektit, për të cilat ndryshe do të duheshin miliona euro, por ka hedhur bazat e shëndosha që këtë proces digjitalizimi, transparence e modernizimi, ta vazhdojmë në rrugën e duhur, duke njohur, zgjidhur e në shumë raste evituar problematikat.
E meqë u përmendën kostot, më lejoni të them se projekti, përveçse nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë nga financat publike, ka shpëtuar nga shkatërrimi kapitale të shtrenjta publike, ka sjellë në Kryeministri vlerë shumë të madhe teknologjike, përveç asaj intelektuale e artistike.
Dhe është këtu rasti të përmend ndihmën e çmuar të Komisionit Europian, financuesi kryesor i projektit. Kemi bashkëpunuar me ekipin e Komisionit me Yngve, Entelën, Alfredin, Lukën, jo vetëm për të sjellë në kohë rekord këtë mbështetje Kryeministrisë, por për të ndërtuar një infrastrukturë të fjalës së fundit të teknologjisë, në mbështetje të transparencës e dialogut.
Kur i vjen radha projektit artistik, është pjesa kur fjalët e mia janë të pamjaftueshme dhe shpresoj në gjithë ekspertizën e pamasë në këtë fushë dhe penën pafundësisht të pasur të eprorit që kam nderin të kem, por për sa më përket mua, do të doja të thosha se veprat e artit që vendi ynë ka nderin t’i ketë sot, janë rezultat i bujarisë së pashoqe e dashamirësisë për Shqipërinë të emrave të spikatur të skenës botërore të artit modern, si Philippe Parreno e Carsten Holler.
Thënë kjo për artistët, nuk mund të lë pa thënë që besoj se ato i sollën në një vend të denjë për këto vepra, për shkak të potencialit kreativ të vendit tonë, mundësisë së tij për t’u vendosur si shenjë dalluese në hartën artistike botërore, por edhe për shkak të emrave po aq të spikatur, si për shembull Anri Sala, për të cilin, gjatë këtij procesi jo pak të ndërlikuar të ndërtimit e finalizimit të këtij projekti, mësova se pas artistit aq frymëzues, qëndron një njeri impresionues për seriozitetin me të cilin angazhohet dhe profesionalizmin në çdo detaj të punës e sekondë të angazhimit të tij.
E meqë është fjala tek Anri, ishte ideja e tij të arrinim të siguronim një bursë për kurator për artistë të rinj shqiptarë nga institutet më të njohura të artit. Të rinj që do të shkojnë të financuar për një periudhë dhe do të kthehen pastaj të punojnë në vend, duke filluar nga kjo ndërtesë, për këtë hapësirë të hapur për publikun.
Falë bashkëpunimit me ambasadën angleze e kemi tashmë këtë bursë. Programi i mirënjohur Chevening ka hapur posaçërisht dhe për herë të parë një bursë për kurator, për një artist shqiptar i cili do të studiojë për një vit në një nga kolegjet më prestigjioze të artit në Mbretërinë e Bashkuar, për t’u kthyer këtu e për të na dhënë një dorë më pas.
E meqë përmenda Anrin, jo me më pak krenari që kemi bashkëpunuar në këtë projekt, pa pasur mundësi të them qoftë dhe pak gjëra mbi kontributin e tij fantastik në dhënien këtij projekti përmasë ndërkombëtare, dua të përmend një tjetër kontribut, shumë frymëzues e të posaçëm, që është ai i shkollës profesionale “Karl Gega” në Tiranë, nxënësit e së cilës, në kohë rekord kanë prodhuar me profesionalizëm e pa asnjë cen, disa prej mobilieve të kësaj hapësire.
Hapësirë, – ky kat i parë i Kryeministrisë, – që ndërthur dhjetëra kontribute nga shumë shtete, ekspertët më të njohur të Fondacionit Soros në fushën e bibliotekës dhe arkivit, një ekip impresionues arkitektësh të disa shtetësive, një grup shumë profesional inxhinierësh shqiptarë të palodhur që, me fuqi të çuditshme, bënë reale çdo gjë që na dukej e pamundur.
Ka qenë ky një projekt administrativ, një projekt intelektual, një projekt artistik, një projekt bashkëpunimi në emër të një rezultati që është përtej secilit, por është një mesazh për çdo qytetar shqiptar, por në fakt dhe përtej, për një mënyrë tjetër tashmë dialogu, hapjeje, bashkëpunimi, mendimi kritik për të transformuar e vënë vërtet në shërbim të njerëzve qeverisjen dhe politikën.
Kjo qendër, kjo hapësirë e re, është një fillim, është një ftesë;
Suksesi i saj varet nga mënyra se si do të sillemi bashkërisht me të, se sa do të dimë të ruajmë vazhdimësinë e punës së një ekipi përtej kufijve e profesioneve, ndërlidhur me pasionin për Shqipërinë e së ardhmes; do të jetë kjo një sprovë, sa administrative, institucionale, aq dhe qytetare.
Por unë besoj se jo pak sprova ka kaluar tashmë administrata e kësaj ndërtese, të cilën gjej rastin ta falënderoj për mbështetjen e këtij projekti;
Dhe jo pak sprova ka kaluar kjo qeverisje, kryetarin e së cilës, kam kënaqësinë më të madhe ta ftoj para jush, më shumë mirënjohje për kurajën intelektuale e qytetare.
Fjala për ju, z. Kryeministër!