Fjala e hapjes së sezonit 2016 – 1

Të nderuar pjesëmarrës,

Mirë se vini!

Më lejoni që këtë fjalë të shkurtër të hapjes ta filloj me një vegim lart në fluturim e ta mbyll këtu në bulevard.

 

Në avionin që bën rrugën Tiranë-Bruksel-Paris, unë kisha kënaqësinë të isha e ulur pranë Maks Velos. Pranë nesh, një mik i përbashkët nga Brukseli, po i fliste Maksit me pasion për Qendrën për Hapje dhe Dialog.

 

Ai i thoshte: “Vetë hapja e dyerve është një thirrje e fuqishme për dialog, ku grupe e profile të ndryshme, ekspertizë e kreativitet i nivelit më të lartë mund të bëhen bashkë, për të tejkaluar konflikte të gjeneruara pikërisht nga dyer të mbyllura, nga qëndrime të pandryshueshme e për të prodhuar me anë të rigjetjes diçka krejt ndryshe. Qoftë kjo në politikë, qoftë në art, qoftë në debate sociologjike, ekonomike, historike apo estetike.”

 

Maks Velo e dëgjoi mikun me shumë dashamirësi dhe pasi avioni ndaloi e ata që ishin për Bruksel u ulën, më tha: “Po çfarë dialogu, moj vajzë?! Po çfarë dialogu, moj xhan?! Ky i Brukselit dialogon me gruan në shtëpi, dialogon me fëmijën, dialogon me tjetrin në çdo hapësirë; por çfarë dialogu pret ti në Shqipëri, se dialogu fillon aty ku e fillon ai”.  

 

Që në hapjen e kësaj hapësire më 8 korrik 2015, COD ka pasur më shumë se 15 mijë vizitorë. Në këto 28 javë të para të ekzistencës, në Qendër kemi pasur më shumë se 50 aktivitete, ndër to rreth 15 si mikpritës, shumica e tyre aktivitete publike e mediatike. Nga njëra anë jemi përpjekur të krijojmë një institucion të qëndrueshëm e në anën tjetër jemi munduar të kemi një ekzistencë kuptimplotë.

 

Në këtë përpjekje, ajo çfarë ka rezultuar si sfida dhe surpriza më e madhe, ka qenë dialogu:

 

Dialogu që ne donim të gjeneronim mes palëve si filozofi apo qëndrime të ndryshme politike, palëve si rryma të ndryshme artistike, apo si administratorë e shoqëri civile, si politikanë e administratorë, si të rinj e të vjetër, si art klasik e art modern, si programi open source i digjitalizimit dhe ai i sponsorizuar jo open source, si organizatorët e konceptuesit e një aktiviteti dhe ata që kanë bërë ligjin e prokurimeve.

 

Si përfundim, ne pamë çdo ditë se hapja dhe dialogu janë dy sfida themelore, jo vetëm në politikë, por në çdo qelizë të jetës sonë publike e private, edhe për ata që mendojnë se janë më dialogues e të hapur se të gjithë, qofshin artistë, analistë, apo shoqëri civile.

 

E pavarësisht se edhe ne vërtetuam që për gjendjen e kulturën e dialogut në vend ka 100% të drejtë Maks Velo e, sado që krejt ndryshe nga Maks Velo, Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri kritikohet dhe pa u vizituar, vizitohet për t’u kritikuar, paragjykohet pa u përpjekur për ta kuptuar, ne vendosëm të vazhdojmë me një sezon të ri, të titulluar “Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas.”

 

Zgjodhëm këtë temë, pikërisht sepse hapësira është një tërësi marrëdhëniesh, perceptimesh, iluzionesh, paragjykimesh, qëndrimesh, përplasjesh, ndërhyrjesh dhe përjetimesh, sa private, aq publike; sa personale, aq komunitare.  E duke e parë si të tillë, menduam se do të ishte më e lehtë të reflektojmë mbi kulturën tonë të dialogut dhe mbi transformimin e saj, duke filluar nga hapësirat që ndajmë dhe jetësojmë.

 

Në këtë kuptim, “Vegimet e Bulevardit” të Edi Hilës janë një fillim sa gjysma e punës, janë material shumë i pasur, janë qëndrim, perceptim dhe përjetim shumë kompleks.“Vegimet e Bulevardit” janë baza, shoqërimi dhe përmbledhja artistike e një diskutimi që Qendra për Hapje dhe Dialog do ta shpalosë në një seri aktivitetesh, si konferenca, seminare, eksperimente artistike, prezantime botimesh e autorësh.

 

Unë i jam shumë mirënjohëse komunitetit të biznesit, veçanërisht zotit Kastriot Ponari, por dhe dy kompanive të tjera që lanë këtu ekipe djemsh e vajzash të reja të na rrinë në dispozicion orar pa orar, për të bërë të mundur këtë mbrëmje dhe hapjen e një sezoni të ri në COD.

 

Së fundmi, por natyrisht aspak për nga rëndësia, dua të falënderoj Edi Hilën, që bashkëpunoi me ne e na nderoi me këtë hapje, pavarësisht kusureve që ka Qeveria, Kryeministria, shteti, Shqipëria dhe COD. E për të folur për një gjë pa kusure, si kjo seri pikturash e Edi Hilës, kam kënaqësinë të ftoj Shkëlzen Maliqin.