Fjala e hapjes, Sezoni 2016 – 2

Falma: Mirësevini në hapjen e sezonit të tretë në COD!

 

Dori: Nuk ka qenë e lehtë të vazhdojmë ta mbajmë të hapur për publikun këtë hapësirë në katin e parë të Kryeministrisë. Kjo, jo vetëm për arsye mentalitetesh, por dhe sa i përket sfidës administrative e financiare.

 

Megjithatë, deri më sot COD ka pasur mëse

21 mijë vizitorë dhe ka realizuar mbi 120 aktivitete, shumica posaçërisht të kuruara nga ekipi i Qendrës.

 

Falma: Meqë gjatë sezonit të shkuar nuk mbetëm gati as edhe një ditë pa aktivitet, menduam se do të ishte mirë ta vijonim tematikën që filluam në janar 2016 – Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas.

 

Në këtë sezon, që do të zgjasë deri në mestetorin e vitit 2016, holli kryesor sjell qiellin si limit i ambicies, gjerësi e ëndrrës dhe thellësi e frymëmarrjes.

 

Mes këtyre të dyjave shfaqet qendra e Tiranës, si një e tërë mundësish dhe mundësia më e re për të ndërlidhur ëndrrën, ambicien dhe mirëqenien.

 

Ndërsa një kënd tjetër i hapësirës na ngacmon memorien, si për të na rikujtuar potencialin, fuqinë tonë, por edhe histori që nuk duhet të përsëriten.

 

Dori: Ngacmimi i memories vazhdon edhe në brendësi të hapësirës sonë, sepse në forum, përgjatë gjashtë muajve, COD dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, shfaqin gjashtë filma nga e gjithë bota,

që fokusohen te censura dhe liria e shprehjes.

 

Secili prej moderatorëve, Iris Elezi, Fatos Berisha dhe Genti Kame, prezanton dy aktivitete që sjellin këtu të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, për të marrë pjesë në diskutime ndërvepruese me regjisorë të njohur, historianë dhe ish-të dënuar të mendimit.

 

Për realizimin e këtij programi gjej rastin të falënderoj Prezencën e OSBE në Shqipëri dhe Qeverinë Gjermane.

Ndërsa për realizimin e ekspozitës së sezonit

do të doja të falënderoja Ambasadën e Kosovës

dhe posaçërisht ambasadorin, z. Ramiz Lladrovci.

Ndërkohë, e di që Falma e ka me shumë merak t’i shprehim mirënjohjen shumë të posaçme, për realizimin e ekspozitës kryesore dhe për gjithë mbështetjen e tij për Qendrën, një njeriu shumë të veçantë, zotit Shkëlzen Maliqi.

 

Falma: Në fakt Dor, ky sezon është ngjizur prej çifteve. Zen Maliqi është bërë bashkë me Ben Andonin për të formësuar konceptin e ekspozitës kryesore e për t’i dhënë kuptim qiellit në këtë sallë.

 

Bashkia është bërë bashkë me COD-in për të ofruar një atelie të dialogut dhe për qendrën e Tiranës.

Dhurata Thanasi Daneri dhe Alketa Misja, dy gra të apasionuara pas fotografisë dhe të përkushtuara ndaj mundit të njerëzve të këtij vendi, janë bërë bashkë që të mos na lënë të harrojmë hapësira kuptimplotë nën qiellin e kryeqytetit.

 

Ndërsa, përveç meje dhe teje, çifti tjetër më i rëndësishëm i këtij sezoni është Alban Muja nga Mitrovica dhe Olson Lamaj nga Tirana.

 

Dori: Atëherë, meqë s’jemi ne çifti kryesor i mbrëmjes, duhet t’ia lëmë vendin atij më të rëndësishmit.

 

Kam kënaqësinë t’i ftoj, duke i falënderuar

Alban Mujën dhe Olson Lamajn.

 

E ka mirëpritur me shumë dashamirësi ftesën tonë dhe ka ditur me shumë profesionalizëm t’i përgjigjet kërkesës për një prezantim artistik  e kritik të ekspozitës në hollin kryesor.

Duke përplotësuar kështu më së miri rolin e Shkëlzenit.

 

Ftoj me shumë mirënjohje zotin Ben Andoni.

 

Shqiptarët thonë “Komshiu i mirë, dera e xhenetit”.

 

Besoj se kjo vlen për ne dhe për Bashkinë e Tiranës, thënë nga goja e secilit.

 

Përgjatë gjithë sezonit të shkuar, dhoma e takimeve të COD ka dëshmuar maratonën e gjatë të diskutimeve për projekte të ndryshme urbane të Bashkisë së Tiranës me grupe të interesit.

 

Sot bashkërisht hapim një hapësirë tjetër dialogu, në një format, sa artistik, aq dhe të angazhimit qytetar.

 

Ndaj kam kënaqësinë të ftoj kryebashkiakun e Tiranës, por edhe mikun e komshiun e mirë të COD,  zotin Erion Veliaj.

 

Para tri ditësh këtu në COD, në aktivitetin kundër diskriminimit dhe homofobisë, një vajzë e re tha se erdhi këtu sepse kjo nuk është shtëpia e Kryeministrit, se ky është vendi i të gjithëve, e veçanërisht i atyre që si vetë ajo ishin kundër Qeverisë dhe Kryeministrit.

 

Që një vajzë shumë e re ta përvetësojë kështu këtë hapësirë më vjen shumë mirë, aq sa më vjen mirë që kjo ndërtesë drejtohet nga dikush që natyrshëm i lë hapësirë të ndryshmes dhe së kundërtës.

 

Ndaj kam kënaqësinë të ftoj Kryeministrin, që ndërtesën nuk e përdor si shtëpinë e vet apo të pushtetit që përfaqëson, dhe artistin që di të ndajë pa asnjë paragjykim hapësirat e mundësitë me kolegët e tij.