Fjala e hapjes së Sezonit 2016 – 3

Të nderuar Miq,

Mirë se keni ardhur në hapjen e sezonit të katërt të Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, Qendër e cila kurohet me 3 sezone në vit.

Sezoni i hapjes, që ngriti siparin më 8 korrik 2015, pati të ftuar artistët Carsten Holler, Thomas Demand e Philippe Parreno.

Në sezonin e radhës, artisti i ftuar ishte piktori shqiptar Edi Hila dhe shkrimi kuratorial u përgatit nga Shkëlzen Maliqi.

Pasi mbyllëm «Vegimet e Bulevardit » të Edi Hilës, vazhduam temën e sezonit «Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas», me të ftuar dy artistë të një gjenerate tjetër, Alban Muja dhe Olson Lamaj.

Shkrimi kuratorial, i përgatitur nga Ben Andoni, e kurorëzoi ekspozitën e tyre me titullin “mbi Qiell nën”.

Sot, Qendra për Hapje dhe Dialog, ose siç njihet në Shqipëri COD, hap sezonin e fundit për 2016-n me të ftuar të posaçëm zotin Erzen Shkololli, të cilit gjej rastin t’i shpreh mirënjohjen më të thellë për angazhimin dhe punën e tij që vjen me origjinalitet, seriozitet dhe profesionalizëm të admirueshëm.

Edhe ata që janë të painteresuar apo kritikë të rreptë të Qendrës sonë, besoj e kanë kuptuar tashmë se COD nuk është një galeri arti dhe as thjesht një qendër kulturore.

Qendra për Hapje dhe Dialog është një hapësirë që ndërthur aktivitetet artistike të zhanreve të ndryshme me ato sociale, me takimet e punës, konferencat profesionale dhe të ftuar të fushave të ndryshme, nga Carlo Ancelotti te Gerhard Schroder.

Pavarësisht se kjo ndërtesë, për shkak të historisë e ka hijen e rëndë dhe veçanërisht kritikët, para se të shohin mundësinë që ofrojnë dyert e hapura, shohin hijen e rëndë të saj, aktorët e përditshëm dhe të ftuarit e gjithnjë të pranishëm të kësaj Qendre janë studentë, djem e vajza të reja, gjimnazistë apo universitarë, nga Prizreni në Sarandë.

Po ashtu, edhe vizitorë të kombësive të ndryshme të cilët, vetëm në tre muajt e fundit dhe pa natën e sotme e kanë kaluar shifrën 6200 persona.

Këtë sezon e kemi titulluar «Të dialogosh me prani»,  ndërsa ekspozita i shton këtij titulli një konstatim «Duke qëndruar pezull»…

Ajo çfarë duam të themi është se, të jesh i pranishëm nuk do të thotë të jesh dakord, krejt e kundërta madje, por mosqenia dakord nuk përjashton, madje duhet të nxisë dialogun…

 

Dhe unë  besoj se nëse do të ndryshojmë diçka në kulturën tonë politike apo në cilësinë e bashkëjetesës sonë komunitare, është e rëndësishme  të dialogojmë, qoftë edhe duke e kthyer dialogun në qëllim në vetvete e duke hulumtuar të gjitha format e ndryshme të tij.

E kam fjalën për forma dialogu që s’kanë të bëjnë me imponimin e njërës palë apo refuzimin e palës tjetër, apo dhe thjesht e vetëm me dy palë, me dy krahë, me dy qëndrime, me pro dhe kundër.

Që të arrijmë qoftë dhe të shprehim këtë qëndrim tonin, të hapim ekspozitën kryesore e të organizojmë në vijim një seri aktivitetesh, pa dyshim na duhet mbështetje.

Dhe për këtë sezon, mbështetjen më të madhe e kemi pasur nga Ambasada Austriake, Ambasada Franceze dhe Sigal Uniqa Group Austria, të cilët më lejoni t’i falënderoj përzemërsisht.

Na kanë mbështetur po ashtu, një seri kompanish të tjera, emrat e të cilave i kemi shënuar në këndin tonë të mirënjohjes, brenda në mjediset e COD.

E meqë jam në kuadrin e mirënjohjes, kam kënaqësinë të ftoj kuratorin që ka ndërthurur në mënyrë impresionuese minimalisten me spektakolaren, na ka dhënë shansin të njohim nga afër 5 artistë të jashtëzakonshëm në mesazhin e tyre social dhe performancën estetike dhe pesë njerëz impresionues për thjeshtësinë e mirëkuptimin.  

Për ekspozitën, artin dhe artistët, zonja dhe zotërinj, Erzen Shkololli.

Falma Fshazi, 14.10.2016